image Kica Xhelili: Dikush mund të ketë pushuar gjatë gushtit, por jo edhe skandalet qeveritare

Politikë

Kica Xhelili: Dikush mund të ketë pushuar gjatë gushtit, por jo edhe skandalet qeveritare

news image

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka dalë me një reagim të gjatë ku kritikoi ashpër Qeverinë Kurti 2, duke rikujtuar skandalet e fundit, raporton Gazeta Sinjali.

Një prej shqetësimeve të saja, siç shprehet në këtë reagim, është sistemi i drejtësisë, për të cilin ngriti edhe disa paralele.

“Të njëjtit që kur duan suspendojnë aktivistë, e kur duan mbrojnë verbërisht diplomatë. Dallimin, me gjasë, e bën fitimi.

Të njëjtit që sulmojnë gjykatat që i krijuan vet; që duke shkelur Kushtetutën synojnë ta kapin prokurorinë; që pas shkeljeve të vazhdueshme kushtetuese, ende gjejnë rehati të dalin e flasin për kushtetutshmëri, dhe atë, pasi kanë sharë e ofsharë pas çdo deputeti që kërkonte interpretimin kushtetues të ligjeve që tashmë u shpallën kundërkushtetuese.

Të njëjtit që duke e kontrolluar Institutin e Mjekësisë Ligjore, lejuan që të zhduken mostra, madje duke pasur brenda zyrtar që ka afërsi me ta; të njëjtit që edhe pas gati tre vitesh, kur e shkatërruan procesin e Vetingut me faj të tyre, vazhdojnë t’i referohen sikur të ishte po ai proces. Sikur të mos kishte ndryshuar gjë”, u shpreh ajo.

Deputetja Xhelili kritikoi edhe justifikimin e qeverisë për skandalet e tyre, duke i quajtur videot e tyre propagandim qesharak që në platformën “Netflix” do të përshtateshin në zhanrin komik.

“Pjesa më e dhimbshme nuk mbetet relativizimi që ja bëjnë skandaleve, as propagandimi tanimë qesharak i videove që në Netflix tanimë do të përshtateshin në zhanrin komik (tragjikomedi, madje)”, shtoi ajo.

Postimi i plotë:

Një skenar i vjetër me aktorë të rinj. Pak nuanca ndryshe, e njëjta pikturë.

Dikush mund të ketë pushuar gjatë gushtit, por jo edhe skandalet qeveritare!

E dhimbshme për një shoqëri sa të vogël, aq të kufizuar për të pasur këtë dimenzion e sasi problemesh.

Megjithatë, nuk pamë distancim nga to. Pamë justifikim. Pamë shtrembërim e lexim qëllimshëm të gabuar të ngjarjeve nga Qeveria. Pamë skandale që zinin skandalin paraprak, thuajse në tentativë ta relativizojnë njëra tjetrën.

Pjesa më e dhimbshme nuk mbetet relativizimi që ja bëjnë skandaleve, as propagandimi tanimë qesharak i videove që në Netflix tanimë do të përshtateshin në zhanrin komik (tragjikomedi, madje). Jo!

Pjesa më e dhimbshme, së paku për mua, është kur mundohen ende të flasin se si do ta reformojnë drejtësinë – e për këtë tashmë kam folur e i kam demantuar vazhdimisht.

Të njëjtit që kur duan suspendojnë aktivistë, e kur duan mbrojnë verbërisht diplomatë. Dallimin, me gjasë, e bën fitimi.

Të njëjtit që sulmojnë gjykatat që i krijuan vet; që duke shkelur Kushtetutën synojnë ta kapin prokurorinë; që pas shkeljeve të vazhdueshme kushtetuese, ende gjejnë rehati të dalin e flasin për kushtetutshmëri, dhe atë, pasi kanë sharë e ofsharë pas çdo deputeti që kërkonte interpretimin kushtetues të ligjeve që tashmë u shpallën kundërkushtetuese.

Të njëjtit që duke e kontrolluar Institutin e Mjekësisë Ligjore, lejuan që të zhduken mostra, madje duke pasur brenda zyrtar që ka afërsi me ta; të njëjtit që edhe pas gati tre vitesh, kur e shkatërruan procesin e Vetingut me faj të tyre, vazhdojnë t’i referohen sikur të ishte po ai proces. Sikur të mos kishte ndryshuar gjë.

Vërtetë dallimi i qartë në mes të fantazisë dhe realitetit është esencial sepse krijon normalen dhe deluzionalen.

Pyetja, sidoqoftë, mbetet, çka t’i bëjmë diskursit deluzional në raport me sistemin e drejtësisë?

Nëse po e bëjnë qëllimshëm ose jo, më nuk dyshoj. Më as argumentimin nuk e kam me ata, por PËR të tjerët që e duan vendin, dhe me këtë rast, të vërtetën.

Për ata që kur e dëgjojnë të vërtetën e hidhur, nuk ndjejnë neveri për atë që e thotë të vërtetën, por për shkaktarët e saj.

Shihemi në shtator!

/GazetaSinjali/