image "Ki me pa kush jam unë"/ Gjykata merr vendim ndaj të dyshuarit që kanosi policin pasi ia arrestoi djalin

Drejtësi

“Ki me pa kush jam unë”/ Gjykata merr vendim ndaj të dyshuarit që kanosi policin pasi ia arrestoi djalin

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij rajoni për ta caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.P., i dyshuar për kanosje, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Marcel Lekaj.

“Është caktu masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për veprën penale ‘Kanosje’ ndaj zyrtarit policor” , tha ai.

Ai dyshohet se pasditen e 17 gushtit të këtij viti, në Prizren, seriozisht e ka kanosur një zyrtar policor, në lidhje me punën dhe pozitën e tij zyrtare, pasi që i njëjti ishte duke u marr me rastin penal lidhur me ndalimin e djalit të tij.

B.P., sipas gjykatës, ka shkuar tre herë në zyrat e policisë për të marrë informata për djalin e tij, e më pas e ka telefonuar zyrtarin policor, të cilit i është drejtuar e fjalët “Ku je e tek je, kam me të gjet e ki me pa se kush jam unë. Kam m’u marrë me ty mirë. Unë të gjej gjithqysh ty”, duke i shkaktuar policit frikë, ankth dhe pasiguri personale.

Sinjali merr vesh se një ditë para se të ndodhte ky rast, policia kishte arrestuar djalin e të dyshuarit për veprën penale të narkotikëve, pasi që në banesën e tij kishte gjetur një sasi të kokainës.

Burimet e Sinjalit brenda prokurorisë bëjnë të ditur se edhe ndaj djalit të të dyshuarit është caktuar dje masa e paraburgimit, për veprën penale të narkotikëve./Gazeta Sinjali/