Pas dorëheqjes së 10 prokurorëve dhe 25 gjyqtarëve të komunitetit serbë në Prokurorinë e Gjykatën Themelore e Mitrovicës tash një muaj KPK e KGJK ende nuk kanë miratuar dorëheqjet e e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Ata kishin dhënë dorëheqje me 7 nëntor pasi Lista Serbe kërkoi dorëheqjet e serbëve nga të gjitha institucionet si shkak i refuzimit dhe rezistencës për targat ilegale serbe dhe mos formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Nëse miratohen dorëheqjet e prokurorëve e gjyqtarëve, lista i dërgohet Presidentës për lirim nga detyra.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku, tha për Gazetën Sinjali, se ende nuk i kanë shqyrtuar dorëheqjet e prokurorëve të komunitetit serb.
“Janë në vlerësim e sipër të gjitha dorëheqjet”, tha Maloku.
Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës sipas marrëveshjes së Brukselit ka 10 prokurorë e rreth 22 punonjës administrate nga komuniteti serbë.
Ky institucion përfshinë territorin e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.
Nga ana tjetër edhe nga Këshilli Gjyqësori Kosovës, tregojnë për Sinjalin se ende nuk janë shqyrtuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë.
Sipas marrëveshjes së Brukselit posti i kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë i takon komunitetit serb.
Derisa në këtë institucion punojnë 25 gjyqtarë serbë nga 39 sa janë në tërë sistemin gjyqësor dhe rreth 200 staf administrativë zyrtarë.