Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka paralajmëruar për sot një protestë kundër pranisë së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Tiranë në kuadër të takimit rajonal për krijimin e Mini- Shengenit Ballkanik.
Protesta do të mbahet në orën 17:00, në lulishten “Qemal Stafa”, ndërsa sipas organizatorëve aksioni do të jetë simbolik paqësor.
Përfaqësuesit e kësaj qendre vendosën dje një baner në kryeqytetin shqiptar ku e shpallnin presidentin e Serbisë person “Non Grata”, të padëshirueshëm në Shqipëri.
“Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”, thuhet në mbishkrim.
Kryetari i Bordit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqiëpëri, Enis Sulstarova, tha para mediave se qeveria në Shqipëri po përpiqet që një kriminel lufte si Aleksandar Vuçiç ta paraqesë si bamirës të të prekurve nga tërmeti i nëntorit, duke tentuar t’ia shplajë figurën Vuçiçit.
Takimin në Tiranë e ka bojkotuar Republika e Kosovës.
Aleksandër Vuçiç disa ditë më parë e injoroi masakrën e përgjakshme të Reçakut në Kosovë, të ndërmarrë nga forcat e Millosheviçit në vitin e konfliktit 1999. Qeveria Vuçiq vazhdon ta luftojë pavarësinë e Kosovës dhe punon pa u ndalur kundër interesave të kombit shqiptar.
Ai ka qenë Ministër i Informacionit gjatë kohës kur regjimi i Milosheviçit ka kryer masakra të shumta në Kosovë. Ushtria dhe paramilitarët serbë kanë vrarë e masakruar me mijëra civilë, nuk kanë kthyer mbi 1600 persona që mbeten të pagjetur, kanë dhunuar 20 mijë gra e vajza, kanë shkatërruar mbi 100 mijë shtëpi. / Gazeta Sinjali/