image Këto janë temat që pritet të diskutohen në Samitin e BE në Tiranë  

Politikë

Këto janë temat që pritet të diskutohen në Samitin e BE në Tiranë  

news image

Me 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet Samiti midis Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku e ftuar është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.

Në këtë takim udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ata, po ashtu, pritet të kërkojnë nga vendet e rajonit që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta.

Këto porosi do të jenë pjesë e së ashtuquajturës “Deklaratë e Tiranës“, draftin e së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Draft-deklarata mirëpret edhe zbatimin e marrëveshjes për heqjen e romingut për telefoninë mobile në nivel të rajonit, ndërsa kërkon që të reduktohen edhe tarifat e romingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.

Teksti përmban edhe përkushtimin ndaj sektorit të energjisë, infrastrukturës digjitale, infrastrukturës dhe projekteve të mbrojtjes së mjedisit.

Ky samit vjen në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë ndryshime të mëdha në rendin ndërkombëtar.

Për pasojat e saj pritet të flitet edhe në samitin e Tiranës.

/GazetaSinjali/