image Këto janë të gjitha pikat e marrëveshjes që i dhanë fund luftës mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Botë

Këto janë të gjitha pikat e marrëveshjes që i dhanë fund luftës mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

news image

Më datë 10 nëntor të këtij viti, Rusia ndërmjetësoi një marrëveshje të re paqësore midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, pasi të dy vendet kanë qenë në një konflikt ushtarak për më shumë se gjashtë javë rreth rajonit të diskutueshëm të Nagorno-Karabakut në Kaukazin e Jugut, transmeton Gazeta Sinjali.

Në këtë marrëveshje mes presidentit të Republikës së Azerbajxhanit, kryeministrit të Republikës së Armenisë dhe presidentit të Federatës Ruse thuhet se një armëpushim i plotë dhe fundi i të gjitha armiqësive në konfliktin e Nago-Karabakut shpallet nga ora 00:00 me kohën e Moskës më 10 nëntor 2020.

Kurse, Republika e Azerbajxhanit dhe Republika e Armenisë, e referuar më tej si palë, do të qëndrojnë në pozicionet e tyre aktuale.

Marrëveshja e plotë:

Ne, Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, Kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikoll Pashinyan dhe Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, deklarojmë si vijon:

1. Një armëpushim i plotë dhe përfundimi i të gjitha armiqësive në zonën e konfliktit Nago-Karabak shpallet duke filluar nga ora 12:00 e mëngjesit (mesnata) me kohën e Moskës më 10 nëntor 2020. Republika e Azerbajxhanit dhe Republika e Armenisë, më poshtë të referuara si “Palët”, do të ndalen në pozicionet e tyre aktuale.

2. Rrethi i Agdamit do t’i kthehet Republikës së Azerbajxhanit deri më 20 nëntor 2020.

3. Forcat paqeruajtëse të Federatës Ruse, përkatësisht, 1,960 trupa të armatosur me armë zjarri, 90 automjete të blinduara dhe 380 automjete motorike dhe njësi të pajisjeve speciale, do të vendosen përgjatë vijës së kontaktit në Nago-Karabak dhe përgjatë Korridorit Lachin.

4. Forcat paqeruajtëse të Federatës Ruse do të vendosen njëkohësisht me tërheqjen e trupave armene. Forcat paqeruajtëse të Federatës Ruse do të vendosen për pesë vjet, një mandat që do të zgjatet automatikisht për mandatet pesëvjeçare pasuese, përveç nëse secila palë njofton për qëllimin e saj për të përfunduar këtë klauzolë gjashtë muaj para skadimit të afatit aktual.

5. Për një monitorim më efikas të përmbushjes së marrëveshjeve të Palëve, do të krijohet një qendër paqeruajtëse për të mbikëqyrur armëpushimin.

6. Republika e Armenisë do të kthejë Qarkun Kalbajar në Republikën e Azerbajxhanit deri më 15 nëntor 2020 dhe Distriktin Lachin deri më 1 dhjetor 2020. Korridori Lachin (5 km i gjerë), i cili do të sigurojë një lidhje midis Nago-Karabakut dhe Armenisë, ndërsa nuk kalon përmes territorit të Shusha, do të mbetet nën kontrollin e forcave paqeruajtëse të Federatës Ruse.

Siç u dakordua nga Palët, brenda tre viteve të ardhshme, një plan do të përshkruhet për ndërtimin e një rruge të re përmes Korridorit Lachin, për të siguruar një lidhje midis Nago-Karabakut dhe Armenisë, dhe forcat paqeruajtëse ruse do të zhvendosen më pas në mbrojnë rrugën.

Republika e Azerbajxhanit do të garantojë sigurinë e personave, automjeteve dhe ngarkesave që lëvizin përgjatë Korridorit Lachin në të dy drejtimet.

7. Personat e zhvendosur brenda vendit dhe refugjatët do të kthehen në territorin e Karabakut dhe zonave fqinje nën mbikëqyrjen e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

8. Palët shkëmbejnë robërit e luftës, pengjet dhe persona të tjerë të ndaluar dhe trupa të pajetë.

9. Të gjitha lidhjet ekonomike dhe të transportit në rajon do të zhbllokohen. Republika e Armenisë garanton sigurinë e lidhjeve të transportit midis rajoneve perëndimore të Republikës së Azerbajxhanit dhe Republikës Autonome Nakhchivan në mënyrë që të rregullojë lëvizjen e papenguar të personave, automjeteve dhe ngarkesave në të dy drejtimet. Shërbimi i Rojës Kufitare të Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e lidhjeve të transportit.

Siç janë rënë dakord nga palët, lidhjet e reja të transportit do të ndërtohen për të lidhur Republikën Autonome Nakhchivan dhe rajonet perëndimore të Azerbajxhanit.

/Gazeta Sinjali/