Sot në orën 12:00 do të mblidhet Qeveria e Kosovës. Në këtë mbledhje pritet të shfuqizohen disa vendime të Qeverisë Haradinaj.
Ndër pikat e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të qeverisë do të jenë edhe shfuqizimi i favorit që ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ia kishte bërë këshilltarit të tij, Gazmend Abrashit me vendimin për normën e akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë.
Në rendin e ditës, pikë tjetër është edhe “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore – Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovë – Infrakos”.
Ndonëse nuk është pikë e rendit të ditës, në mbledhjen e sotme pritet të futet edhe diskutimi për heqjen e taksës ndaj Serbisë, si detyrim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht emisari i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shkruan Gazeta Sinjali. Diskutimin për heqjen e taksës e paralajmëroi mbrëmë zëvendëskryeministri Avdullah Hoti. /Gazeta Sinjali/