image Këtë javë vijnë testet e reja për COVID-19 në Prishtinë, e merrni rezultatin në kohë rekord

Shëndetësi

Këtë javë vijnë testet e reja për COVID-19 në Prishtinë, e merrni rezultatin në kohë rekord

news image

Testet e para serelogjike pritet të mbërrijnë në Prishtinë gjatë kësaj jave. Përparësi e këtyre testeve është se rezultatet bëhen të ditura brenda 15 minutave.

Kështu ka bërë të ditur, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, i cili tha se të parët që do të testohen janë punëtorët e këtij institucioni.

“Komuna e Prishtinës është në biseda me disa prej kompanive ku kemi pas edhe oferta prej disa ambasadave që të marrim si donacion këto teste të shpejta, që shkojnë nëpërmes marrjes së gjakut, ku brenda 10-15 minutave merret rezultati. Ne po shpresojmë që gjatë kësaj jave të marrim sasinë e parë të testeve dhe sipas diskutimit me kryeministrin javën e kaluar, jemi zotuar se testet e para do t’i bëjmë te punëtorët e komunës. Ne tash e kemi situatën jo të mirë në komunën e Prishtinës, 18 punëtorë shëndetësorë nga QKMF dhe nga qendra kryesore janë të infektuar me Covid-19, ndërsa 54 tjerë në vetëizolim, në anën tjetër në Komunë të Prishtinës veçse i kemi 3 persona pozitiv, jemi duke i respektuar vendimet e qeverisë për reduktim të stafit, në mënyrë që pjesa e stafit tjetër të mos preket”, ka thënë ai.

Nushi tha se përkundër rritjes së numrit të personave të infektuar kjo komunë është në gjendje të menaxhojë situatën, duke theksuar se pas 2 jave presin stabilizim të numrit të të infektuarve.

Sa i përket rikthimit të kufizimit të lëvizjes dhe mbylljes së gastronomisë prej orës 21:00 deri në ora 05:00, Nushi thotë se këto masa do të sjellin probleme për ekonominë.

“Numri këto 2 javë është në rritje e sipër, jemi në gjendje të menaxhojmë situatën për kundër rritjes së numrit, por që deri te kjo rritje ka ardhur nga mosrespektimi i rekomandimeve. Andaj ne si qytetar kemi ardhur te kjo situatë, kur kemi pasur obligim vetëm 2 masa t’i aplikojmë, bartja e maskave dhe respektimi i distancimit social prej 1 metër e gjysmë deri në 2 metër. Masat të cilat kanë hyrë në fuqi me vendim të Qeverisë, do të shkaktojnë probleme në ekonominë e qytetit posaçërisht në pjesën e gastronomisë. Pas 2 jave po presim që të ketë stabilizim të numrit të të infektuarve, duhet të mësohemi me këtë virus”, thotë ai.

Kujtojmë se Prishtina është bërë qyteti i parë vend që ka tejkaluar shifrën e mbi 1 mijë rasteve pozitive me COVID-19, ku vetëm në 24 orëshin e fundit janë regjistruar 73 raste të reja./Gazeta Sinjali/