Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.
Gazeta Sinjali mëson se të pandehurit ndaj të cilëve është ngritur kjo aktakuzë janë Bajram Gashi, bashkëshorti i prokurores, Ervehe Gashi, Rizan Hoxhaj dhe Dardan Hoxhaj, i cili kishte qenë i dënuar më parë.
Në aktakuzën të cilën e ka siguruar Gazeta Sinjali, Bajram Gashi akuzohet se gjatë muajit korrik të vitit 2017 bashkë me Rizan Hoxhajn, kanë shkuar në zyrën e Dardan Hoxhajt në Prizren dhe i kanë kërkuar atij 6 mijë euro, me premtimin se nëse i paguan këto të holla, Bajram Gashi do të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e gruas së tij, Ervehe Gashi, e cila ishte prokurore e një rasti në të cilin akuzohej Hoxhaj.
Ata ia kishin dhënë fjalën që Hoxhaj nuk do të akuzohej për të gjitha veprat penale që ishte duke u hetuar, në qoftë se ua jep atyre 6 mijë euro.
Kësisoj, në aktin akuzues thuhet se Hoxhaj ishte joshur nga ky premtim dhe në muajin korrik të 2017-ës, u kishte dorëzuar atyre 1 mijë euro, ndërsa më 22 gusht ua kishte dhënë edhe pjesën tjetër të të hollave të kërkuara, 5 mijë euro, si shpërblim për të pandehurit për ndihmën që i kishin premtuar se do t’ia ofronin.
Me këto veprime, Rizan Hoxhaj dhe Bajram Gashi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.
Ndërkaq, Hoxhaj akuzohet se gjatë muajit korrik dhe gusht të vitit 2017 në zyrën e tij ia kishte dorëzuar shumën prej 6 mijë eurosh të pandehurit Rizan Hoxhaj, në mënyrë që ky i fundit t’i dërgonte Bajram Gashit, bashkëshortit të prokurores, Ervehe Gashi, në mënyrë që ajo të mos e akuzonte për të gjitha veprat penale për të cilat po hetohej Hoxhaj.
Kështu, Hoxhaj akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/