image Këta janë hajnat që vodhën e më pas shitën djathë në vlerë prej 800 eurosh në Pejë - Sinjali

Këta janë hajnat që vodhën e më pas shitën djathë në vlerë prej 800 eurosh në Pejë

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi për një rast jo fort të zakonshëm të vjedhjes, ku dy të rinj në fshatin Treboviq të Pejës u arrestuan pasi dyshohet se vodhën tri ‘kaca’ plot me djathë e më pas i kanë shitur.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se personat që ranë në prangat e Policisë janë Egzon Rugova 27-vjeçar dhe Edison Mustafaj 30-vjeçar.

Sinjali mëson se të mërkurën e 18 majit, në shtëpinë e një familje (emër i njohur për redaksinë), dy persona kanë vjedhur tri ‘kaca’ me djathë, pa u vërejtur nga askush.

Por, në momentin që familjarët e kanë kuptuar se iu mungon djathi, kanë kërkuar ndihmë në organet e rendit që të zbardhet rasti.

Me të marrë informacionet, Policia është vënë në lëvizje dhe ka identifikuar të dyshuarit që vodhën djath në vlerë prej 800 eurosh.

Pas arrestimit, Rugova dhe Mustafaj janë dërguar në stacion policor në Pejë, ku edhe janë intervistuar.

Në dëshminë dhënë për zyrtarët policorë, njëri nga ta ka deklaruar se ka qenë në njohuri që i dyshuari tjetër e ka vjedhur djathin dhe të njëjtin e ka shitur në një dyqan në Pejë.

Siç mëson Sinjali, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor prej 48 orësh dhe ndaj tyre është iniciuar rasti “Vjedhje”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin