Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar katër persona të dyshuar për keqpërdorimin e një kontrate mes Telekomit të Kosovës dhe një operatori ekonomik.
Në mesin e të arrestuarve Sinjali mëson se janë ish-drejorët, Trim Musliu dhe Armend Osaj.
Burimet brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë i kanë thënë Sinjalit se në prangat e policisë kanë rënë edhe vëllai i Trim Musliut, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman, ish-këshilltari i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.
Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, “Përvetësim në detyrë” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali brenda prokurorisë bëjnë të ditur se Musliu dhe Osaj kanë keqpërdorur për përfitime personale një kontratë në mes të Telekomit dhe një operatori ekonomik, vlera e të cilës arrinte në 327 mijë e 514 euro.
Ndërkaq, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman dyshohen se kanë përpiluar dhe firmosur dokumentet e falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme, në emër të personave të tjerë.
Sinjali mëson se katër të dyshuarit janë intervistuar dhe prokurori i rastit ka urdhëruar që të njëjtit të dërgohen në mbajtje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/