Këshilltari i presidentit, Adil Behramaj, i ka dalë në krah kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë që ky i fundit të vedoset në karantinë në konvikt, pas kthimit nga Zvicra.
Behramaj tha se vetëm gjatë muajit prill në Kosovë kanë hyrë mesatarisht 30 mijë persona. Andaj, ai pyet Vitinë nëse janë karantinuar të gjithë këta dhe nëse po, ku janë karantinuar.
“Në bazë të të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit, në pikat kufitare të Republikës së Kosovës kanë hyrë 864 persona dhe kanë dalë 1024 persona. Një ditë më herët kanë hyrë 1606 persona dhe kanë dalë 1876 persona. Të premten e kaluar kanë hyrë 1004 persona, ndërsa të enjten kanë hyrë edhe 920 të tjerë. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare, në muajin prill llogaritet që mesatarisht kanë hyrë rreth 30 mijë persona në Republikën e Kosovës. A janë këta të gjithë të karantinuar, Ministër i Shëndetësisë? Nëse po, ku janë ata?”, ka shkruar këshilltari i Thaçit në Facebook./Gazeta Sinjali/