image Këshilltari i Pacollit publikon fotografi: Këta persona kanë kryer masakrën e Reçakut

Kosovë

Reagim/ Këshilltari i Pacollit publikon fotografi: Këta persona kanë kryer masakrën e Reçakut

news image

Jetlir Zyberaj, këshilltari i kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacollit, ka reaguar lidhur me deklaratat e liderëve serbë, të cilët po e mohojnë të ketë ndodhur ndonjëherë masakra e Reçakut.

Zyberaj publikoi fotografi të disa personave në Facebook, të cilët ai thotë se janë ata që e kanë kryer masakrën në Reçak, dhe kërkon që të njëjtit të listohen në INTERPOL. Ai thotë se pse ata vazhdojnë të jenë të lirë nuk është faji i Serbisë, por i dështimit të drejtësisë ndërkombëtare për gjykimin e tyre.



“Këta persona #këtu janë ata që kanë kryer masakrën e Reçakut dhe nuk janë përballur me drejtësinë. Prokurorët tanë duhet t’i padisin dhe listojnë në Interpol.Vuçiq është mbrojtësi i atyre që kryen masakrën në Reçak. Ata janë anëtarë të partisë së tij dhe aleatë të afërt të tij. Problemi me këtë politikë nuk është Serbia pasi ata do të bënin të njëjtën gjë me Kosovën nëse do të mundnin, por dështimi i drejtësisë ndërkombëtare për të dënuar këta kriminelë lufte që ecin tani rë lirë në Beograd dhe mohojnë krimet e tyre. Përkundrazi, drejtësia ndërkombëtare po gjykon luftën tonë për liri dhe jo gjenocidin serb dhe politikat e serbe të aparteidit”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.

Këshilltari i Pacollit thotë se duhet të krijohet një gjykatë në Kosovë për gjykimin e krimeve të Serbisë dhe se “Reçaku” duhet të jetë rasti i parë që gjykohet.

“Ka ardhur koha për të krijuar një gjykatë për genocidin serb në Kosovë dhe masakra e Reçakut duhet të jetë rasti i saj i parë. Gjithashtu ligji për mohimin e gjenocidit duhet të miratohet dhe zbatohet. Ata që ofendojnë viktimat dhe të kaluarën tonë duhet të sillen para drejtësisë”, ka shkruar tutje ai.

Kujtojmë se deklaratat rreth masakrës së Reçakut rifilluan pasi Gjykata Themelore në Prishtinë shqiptoi dënimin me 2 vjet burg ndaj Ivan Teodosijeviqit, ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/jetliri88/posts/10215464068050680