Elvis Hoxha, këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, ka reaguar pas protestës së mbrëmshme me Marshin e UÇK-së, si reagim ndaj deklaratës së Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i kryeministrit, ku thoshte se UÇK ka kryer krime ndaj civilëve serbë.
Hoxha ka thënë se Gashi është vetëm një person dhe mund të goditet, pasi nuk ka fuqi që të bëjë keq ose mirë, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, sipas tij, 80 deputetët janë një bandë e madhe që po i bëjnë keq Kosovës.
“Nuk pashë protestë me Marshin e UÇK-së kundër deputetëve që ia dhuruan luftën një gjykate ndërkombëtare sui generis. I kuptoj. Shkëlzen Gashi është një person. Madje e godasim sepse e dimë se nuk ka fuqi as të na bëjë mirë e as keq. Ndërsa ata 80 deputetët janë një bandë e madhe. Ata mund të bëjnë keq. Me ata nuk po e bëjnë trimin. Ata mund ta japin territorin e Kosovës, por ata jane 80. Ata mund të bëjnë mocionin. Ata janë 80. Ata mund të bëjnë marrëveshje të dhimbshme. Ata janë gjithnjë bandë. Dhe me bandën nuk na e mban. Ata mund ta hedhin qeverinë në kohë krize, i njohim cilët janë e ç’interesa kanë. Por janë bandë e madh”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Hoxha ka thënë se ata mund të bëjnë marrëveshje të dhimbshme, siç vepruan me demarkacionin me Malin e Zi dhe me aferën Pronto.
“Dhe meqë nuk u ngritën kundër tyre për aferat Pronto kundër shtetit, më në fund erdhi një rast, kur mund t’ i përvishemi si trima një tipi e ta bëjmë edhe ne një herë trimin. Se boll na morën nëpër këmbë. Vallë a ka ndonjë budallë tjetër vetmitar, të thotë diçka pro dhënies së territoreve Malit të Zi? I vërsulemi atij dhe shpëtojmë prej turpit që për vizat që nuk i morëm dhamë truall atdheu”, ka përfunduar ai./GazetaSinjali/