image Këshilltari i Kurtit: Grenelli më i ashpër në Twitter se sa në takimet e bisedat me kryeministrin e Kosovës - Sinjali

Këshilltari i Kurtit: Grenelli më i ashpër në Twitter se sa në takimet e bisedat me kryeministrin e Kosovës

news image

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Erzen Vraniqi ka thënë se ambasadori Grenell është më i ashpër në tweet-at e tij se sa në takime. Sipas Vraniqit, ambasadori Grenell po keqpërdoret për luftën e brendshme politike në Kosovë nga partitë që i  kanë humbur zgjedhjet.

“Mund ta kem gabim, por përshtypja ime është se tweet-at e Ambasadorit Grenell ngjajnë më të ashpër sesa takimet e bisedat me të. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij të qartë e të saktë për heqjen graduale të tarifës 100%, dhe vendosjen graduale të reciprocitetit. Ambasadorit Grenell kjo nuk i ka pëlqyer duke e quajtur gjysëm-masë. Por Kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën më të mirë e më të dobishme për Kosovën me propozimin e tij”, ka thënë Erzen Vraniqi, shkruan Gazeta Sinjali.

Vraniqi tutje ka thënë se kryeministri Kurti ka zgjedhur rrugën më të mirë për Kosovën me propozimin e tij për largimin e taksës.

Ndërsa, i dërguari Special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka demantuar deklaratën e zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thuhej se ai është marrë vesh në një bisedë telefonike me Grenellin që ndihma nga SHBA-ja nuk do të ndalet dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne ia kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm janë duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA-ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, kishte shkruar Grenell në Twitter. 

Vraniqi ditë më parë kishte thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon.

 “Gjatë bisedës së djeshme telefonike të kryeministrit Kurti me ambasadorin O’Brien dhe ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, kishte shkruar Erzen Vraniqi. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin