image Këshilli Prokurorial diskriminon gratë

Drejtësi

Këshilli Prokurorial diskriminon gratë

news image

Këshilli Prokurorial i Kosovës sot ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për rekrutimin e njëzet e dy prokurorëve të rinj të Shtetit. Lidhur me këtë vendim janë themeluar edhe Komisioni për Rekrutim dhe Komisioni për Rishqyrtim, duke caktuar anëtarët përkatës të tyre.

Mirëpo në emërimin e kandidatëve të këtyre komisioneve nuk është marrë parasysh parimi i barazisë gjinore. Nga gjithsej 9 anëtarët e këtyre dy komisioneve është vetëm një grua. Bëhet fjalë për prokuroren në zyrën e Kryeprokurorit të Shteti, Laura Pulën.

Pula së bashku me anëtarin e Këshillit Veton Shabani, janë përzgjedhur anëtarë rezervë të këtij komisioni.

Në mbledhjen e mbajtur sot kryesuesi i Këshillit, Jetish Maloku, ka përzgjedhur vetën si anëtar të rregullt të këtij komisioni. Kurse, bashkë më të në përbërjen e këtij komisioni janë edhe kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, anëtari i Këshillit, Agron Beka dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

KPK-ja me përzgjedhjen e një “ode burrash” për anëtarë të Komisionit nuk ka respektuar pikën e tetë të Nenit 7 të “Rregullores për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Prokurorëve të Shtetit”.

Gjatë marrjes së vendimit për përbërjen e Komisionit për Rekrutim, Këshilli merr parasysh parimin e barazisë gjinore dhe përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë”, thekson pika 8 e këtij neni.

Mirëpo, kjo nuk mbetet pika e vetme që KPK-ja nuk ka zbatuar gjatë përzgjedhjes së këtij komisioni. Pika e dytë e Rregullore për Rekrutim specifikon se Komisioni për Rekrutim duhet të ketë 5 anëtarë të rregullt, kurse komisioni i zgjedhur sot ka vetëm katër, raporton Paparaci.

Siç parasheh rregullorja komisioni duhet të ketë dy anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku njëri nga ta duhet të jetë joprokurorë, kurse dy anëtarë duhet të jenë prokurorë nga prokuroritë.

E mos respektim të rregullores KPK-ja ka bërë edhe në formimin e Komisionit për Rishqyrtim, komision ky që do të shqyrtojë ankesat të cilat mund të parashtrohen nga kandidatët.

Në përbërje të këtij komisioni, Këshilli ka caktuar prokurorët Shqipdon Fazliu, Arjan Gashi dhe Idain Smailji. Por, këtu nuk ka as edhe një grua.

E lidhur me zhvillimet e sotme ka reaguar edhe Forumi i Grave Gjyqtare dhe Prokurore të Kosovës, të cilat i kanë konsideruar diskriminues këto dy komisione.

“Forumit i Grave Gjyqtare dhe Prokurore të Kosovës pas publikimit në media elektronike të vendimit të Këshillit Prokurorial të marrë në takimin e 216 me datë 17.06.2022, lidhur me përbërjen e Komisionit për rekrutim po ashtu edhe të Komisionit për rishqyrtim, shpreh paknaqësi duke e konsideruar këtë vendim diskriminues dhe në kundërshtim me përfaqësimin e barabartë gjinor, duke qenë se ky Komisioni për rekrutim përbëhet me shumicë antarë burra, ndërsa Komisioni për rishqyrtim përbëhet krejtësisht nga anëtarë burra pa pjesëmarrjen e asnjë anëtare grua”, shkruhet në reagimin e tyre.

Ky forum ka theksuar se përbërja e këtyre komisioneve është në kundërshtim me përpjekjet e vazhdueshme për promovimin e barazisë gjinore në sistemin e drejtësisë.

Tutje shtohet se një praktikë e tillë është një hap prapa rrugës së avancimit të gruas në sistëmin gjyqësor të Kosovës.

“Përzgjedhja e këtyre Komisioneve në këtë përbërje jo vetëm që është kundër parimeve të proklamuara nga vet Këshilli por është edhe në kundërshtim me përpjekjet e vazhdueshme për të promovuar barazinë gjinore në sistemin e drejtësisë.”

“Forumi i Grave Gjyqtare dhe Prokurore konsideron se kjo praktikë e vazhdueshme është edhe një hap mbrapa sa i përket adresimit të përpjekjeve për të avancuar pozitën e gruas në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i tyre.

Ndryshe, KPK-ja në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe raportin e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik për periudhën janar-mars 2022.

/GazetaSinjali/