image KP i LDK-së voton Vjosa Osmanin për kryeministre, asnjë kundër

Kosovë

Konfirmohet/ KP i LDK-së voton Vjosa Osmanin për kryeministre, asnjë kundër

news image

Me asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka votuar kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryeministre.

Me ngritje të duarve, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të partisë i kanë dhënë përkrahjen unanime kandidaturës së Osmanit.

Me këtë votim, ka përfunduar çdo dilemë e LDK-së për mandatarin për kryeministër, në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Kryesia e LDK-së në mbledhjen e saj të parë me 24 gusht dhe më pas me 26 gusht ka shqyrtuar kandidaturat për kryeministër të vendit, Lutfi Hazirin dhe Vjosa Osmanin”, tha kreu i partisë, Isa Mustafa, derisa shtoi se kryesia e ka vlerësuar kontributin e Hazirit dhe të Osmanit.

Mustafa mori konfirmimin e Këshillit të Përgjithshëm për përkrahjen e Osmanit për kryeministre.

“Kjo duartrokitje është unanime për Osmanin për kandidate për kryeministre të Kosovës dhe kërkoj nga ju ta përkrahni maksimalisht edhe në fushatë. Këshilli i përgjithshëm i LDK-së në mënyrë unanime pa asnjë votë kundër e voton znj. Osmani për kryeministre të Kosovës”, tha ai.

Në orët në vijim pritet të merret vesh se cili do të jetë vendimi i partisë së Isa Mustafës karshi ofertës së Albin Kurtit për koalicionin parazgjedhor.

Pas nominimit të Vjosa Osmanit për kryeministre, VV e LDK u takuan mbrëmë për të diskutuar mundësinë e koalicionit.