image Kërkohet vaksinimi i fëmijëve nën moshën 18 vjeçare në Kosovë - Sinjali

Kërkohet vaksinimi i fëmijëve nën moshën 18 vjeçare në Kosovë

news image

Këshilli i Prindërve në Kosovë, ka kërkuar nga qeveria që të merr vendim për vaksinimin e fëmijëve adoleshentë, për të siguruar një kthim të sigurt në shkolla nga shtatori.

Një kërkesë e tillë, ka ardhur pasi ditëve të fundit, në Kosovë është rritur numri i të infektuarve me koronavirus, sidomos te fëmijët.

Autoritet shëndetësore të enjten kanë regjistruar 1,009 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 personave. Kurse në tre ditët e fundit (10, 11 dhe 12 gusht), në Kosovë janë infektuar mbi 300 persona të moshës nga 10 deri 19 vjeç.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300,000 nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe atë të mesëm.

Ymret Reshitaj, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, tha se vaksinimi i fëmijëve, sidomos i mësimdhënësve, është kusht për kthimin e tyre në objektet shkollore dhe me orar normal të procesit mësimor.

Nga institucionet e Kosovës, kërkojmë që të furnizohen me vaksina edhe për fëmijët nën moshën 18 vjeçare dhe të fillojë procesi i vaksinimit të tyre. Prindërit, vazhdimisht kanë qenë në mbrojtje të interesit të fëmijëve, në mënyrë absolute, prandaj ne presim veprime konkrete të Qeverisë se Kosovës”, tha Reshitaj për REL.

Edhe disa prindër, e vlerësojnë të domosdoshëm vaksinimin e fëmijëve nën moshën 18 vjeçare.

Sania nga Prishtina, është nënë e tre fëmijëve. Njëri nga ta është në shkollë të mesme. Ajo shprehet se do ndjehet më e sigurt nëse djali i saj do të vaksinohet.

“Unë e shoh të domosdoshëm vaksinimin e fëmijëve”, thotë ajo.

Lidhur më vaksinimin e fëmijëve, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se “do të përcillen me kujdes rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave të tjera kredibile, para se të merren vendime finale“. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin