Prokuroria Themelore ka kërkuar paraburgim për personin që dyshohet se e dhunoi dhe e shantazhoi të miturën në Gjilan.
Siç ka raportuar Gazeta Sinjali, i dyshuari E.L. me të cilin e mitura dyshohet se ishte në lidhje dashurie, akuzohet se ka incizuar aktin pa autorizimin e viktimës dhe më pas e ka përdorur për ta shantazhuar atë.
Për të dyshuarin, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, nga Gjykata kompetente në Gjilan për veprat penale ‘’Dhunimi’’ dhe ‘’Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet lidhur me këtë rast nisën pasi që e mitura më 30 shtator të këtij viti ka raportuar në polici se tash e dy javë është duke u shantazhuar përmes rrjetit social Instagram nga një person i panjohur.
Gazeta Sinjali merr vesh se për këtë rast në prangat e policisë ka rënë edhe një person i tretë (15-vjeçar), i cili kishte tentuar të takohej me të miturën. / Gazeta Sinjali/