image Flet për Sinjalin prindi që i shkoi Haxhiut në ministri: Ai që tentoi t’ma dhunojë çikën po sillet si mbret, para një jave i ka dalë përpara

Ekskluzive

Flet për Sinjalin prindi që i shkoi Haxhiut në ministri: Ai që tentoi t’ma dhunojë çikën po sillet si mbret, para një jave i ka dalë përpara

news image

Rasti për të cilin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu njoftoi të hënën në Facebook, ishte raportuar nga Gazeta Sinjali në nëntor të vitit 2021 dhe ka të bëjë me sulm seksual të një 14-vjeçareje në Podujevë. Për këtë ngjarje të trishtë, Sinjali pati publikuar edhe rrëfimin e babait të vajzës. Skajshmërisht i prekur, ai ka treguar për tentim dhunimin e vajzës brenda shkollës, ku e bija vijonte mësimet. Atë kohë ishte arrestuar një person i dyshuar, i cili tashmë është i lirë.

Për këtë rast të trishtë, Sinjali ka kontaktuar sërish me babain e vajzës. I dëshpruar për fatin e rastit të vajzës së tij, këtë herë, ai ka treguar se u detyrua t’ia zë derën ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

Në një rrëfim ekskluziv për Sinjalin, baba i të miturës (emër i njohur për redaksinë, por që nuk do të publikohet me qëllim ruajtjen e identitetit të viktimës), tha se vajza është përballur sërish me të dyshuarin. Ai thotë se para një jave, i dyshuari i ka zënë pritën në rrugë. Shqetësimin dhe frikën që ia ka krijuar, babai i saj e përshkruan shkurt, “Veç u dridhke çika kur erdh”.  

Kjo situatë, ai thotë se ia bëri të pamundur të qëndrojë duarkryq. I vendosur për të kërkuar drejtësinë, ai ia mësyu ministrisë.

“Ju Sinjali e dini, siç keni raportu atëherë, kur ngjarja ka ndodhë në shkollë. Pas kësaj kohe unë kam shku te ministrja, ia tregova rastin, më tha që kanë me bë çmos me u zbardhë rasti. Na nuk kemi pasur asnjë informatë për të dyshuarin, a u dënu a jo a, a çka u bo. Vendosa me shku me kërku ndihmë se edhe para një jave çika kur u dalë në qytet, ai i ka dalë përpara. Erdh në shop edhe vec u dridhke çika kur erdh. M’tregoi se çka ka ndodhë… u tut çika kur e ka pa, normal. Ai sillet tash si mbret”, tha baba i vajzës.

Ky rast, ai tha se e ka tronditur jashtëzakonisht shumë familjen, prandaj s’do të lë gur pa lëvizur që të vihet drejtësia. Mungesa e informacioneve për rastin e ka detyruar t’i shkojë secilit në derë. Babai i të miturës i tha Sinjalit se pas takimit me ministren, sot ka shkuar në Prokurori e Gjykatë.

Prokurori i rastit, sipas tij i ka thënë se personi i dyshuar ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim, por pas një muaji është liruar nga Gjykata. I frikësuar se vajzës mund t’i ndodhë diçka, e sidomos kur i dyshuari është shfaqur sërish, ai tha se ka kërkuar të paktën mbrojtje për të bijën.

“Sot kom qenë vet te Prokurori, nuk me ka thirrë. Prokurori tha që është ngritë kallëzim penal po tha kadale shkojnë këto. Ai personi ish arrestu, ka nejtë një muaj edhe e kanë lëshu, e tash sillet si mbret. Na kena kërku që së paku çika me u mbrojtë, mos me iu afru ai me një distancë të caktume, po du me rujtë çikën. Prokurori më tha se une e kom kry punën tem sa i përket Prokurorisë. Tash po pres se çka po ndodhë edhe a po i marr informacionet që i kom kërkuar. Çikën du me ru, mezi ia kemi hekë stresin e frikën. Shpresojmë që ka mu bo mirë”, përfundoi rrëfimi i tij.  

Sinjali do t’i zbulojë të gjitha detajet dhe hapat që janë ndërmarrë nga organet kompetente për trajtimin e këtij rasti.

Ndryshe, dhuna seksuale vitet e fundit në Kosovë është rritur në masë të madhe dhe viktimat janë kryesisht vajzat e mitura. Rasti i fundit, i dhunimit të një 11-vjeçareje për më shumë se një vit ka tronditur vendin. Ky akt makabër bëri që qindra qytetarë protestues të mblidhen kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

/GazetaSinjali/