Është paraqitur kërkesë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj kreut të PSD-së, Dardan Molliqajt dhe aktivistit të kësaj partie Adem Megjuanit.
Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, e cila tregoi se paraburgimi i tyre po kërkohet për shkak të veprës penale “sulmi ndaj personit zyrtar”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të ndaluarve, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Ulaj.
Molliqaj dhe Megjuani janë arrestuar gjatë ditës së djeshme, për shkak të veprës “sulm ndaj personit zyrtar” në protestën e mbajtur së fundmi, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
PSD përmes një reagimi në rrjetet sociale, e ka quajtur të panevojshëm arrestimin, duke e cilësuar atë motivuar politikisht.
Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, ka thënë se arrestimi i Molliqajt është politik, vetëm për ta heshtur.
“Fillimisht, në xhirimin më poshtë shihet qartë që nuk kemi të bëjmë me goditje por shtyrje. Ky është fakt. Së dyti, Dardani ka vazhduar aktivitetet e tij pa u ndalur për dy ditë rradhazi, si në zyre të PSD-së, si në kafene në takime me qytetarë. Së treti, dhe më e rëndësishmja, arrestimi i tij sot, pak para paraqitjes në Pressing, nuk është asgjë tjetër pos arrestim politik për ta heshtur Dardanin.”
Për arrestimin e kreut të PSD-së, reagoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se “arrestimi i dhunshëm i Molliqajt ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike”.
“Arrestimi i dhunshëm i Kryetarit të PSD-së Dardan Molliqaj, ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike; prandaj ky akt, për mua dhe LDK-në është i papranushëm dhe kundër standardeve bazike të demokracisë.Kurti dhe Qeveria e tij nuk guxojnë të përdorin pushtetin policor për kërcënime e arrestime politike; sidomos kur për alternativë kanë ndjekjen normale e njerëzore të rrugëve procedurale sipas rregullave tashmë të njohura.I bëj ftesë organeve të rendit të ruajnë integritetin e tyre profesional e të pavarur dhe të mos bëhen pjesë e këtij teatri politik të një Qeverie paranoike.“
Ndërsa sipas kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, arrestime të tilla nuk shihen në demokraci.
“Arrestimi sonte i Dardan Molliqajt është i padrejtë dhe i panevojshëm për shtetin demokratik që kemi ndërtuar deri tash. Arrestime të tilla nuk shihen në demokraci. Ky është lajm i keq për demokracinë kosovare. Solidarizohem gjithmonë me policinë e Kosovës por jo edhe me politizimin e saj. Une jam i bindur se po të kishte ftesë Molliqaj vet do të lajmërohej aty ku do të ftohej.”