image Kërkohet nga politikbërësit që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor

Sociale

Kërkohet nga politikbërësit që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor

news image

Në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor psikologët nga Kosova, por edhe ata nga Shqipëria po vlerësojnë se pa një baraspeshë të shëndetit mendor dhe fizik nuk do të ketë individë që do të jenë funksionalë për këtë shoqëri të shëndosh.

Për këtë, gjatë kongresit ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja” të organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës ata kërkuan që politikbërësit të ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor.

Psikologu klinik, Ilir Havolli, tha se shëndeti mendor është faktori kryesor i mirëqenies së qytetarëve, teksa bëri të ditur se në fund të këtij takimi do të dalin me konkluzione për institucionet se si të tejkalohen sfidat e shëndetit mendor.

“Ne çdo herë duhet të veprojmë lidhur me ndërgjegjësimin. Duhet që në vazhdimësi të promovojmë dhe edukojmë individët në frymën e mirëqenies psiko-emocionale. Nëse synojmë mirëqenie atëherë duhet të veprojmë sot për të parandaluar skenarët më dramatik, nesër mund të përballemi me rritje eksponenciale të vrasjeve, vetëvrasjeve, apo të numrit të individëve që shfaqin sëmundje mendore”, tha ai.

“Hapi kryesor për këtë është hartimi i politikave mbështetëse apo hartimi i politikave për shëndetin mendor, duke hartuar politika sociale si kanë bërë shtetet tjera. Duhet të kërkohet rritja e psikologëve dhe profesionistëve të tjerë të shëndetit mendor dhe të shkëmbehen eksperiencat mes profesionistësh”, shtoi ai.

Kryetarja e bordit të Shoqatës së Psikologëve të Shqipërisë, Lorela Garuli, tha se është shumë e rëndësishme që përmes ndërgjegjësimit të ndërtohet një vetëdije shumë më e madhe e shëndetit mendor.

“Është e rëndësishme që ne ditë pas dite, jo vetëm në praktikën tonë profesionale klinike, por përmes asaj që bëjmë do ditë hap pas hapi, ditë pas dite të ndërtojmë një vetëdije shumë më të madhe për shëndetin mendor, duke nisur nga fëmijët, adoleshentët dhe pastaj të rriturit”, u shpreh ajo.

Ndërsa neuropsikiatri Sami Rexhepi foli për rëndësinë e institucionalizimit të fushës së shëndetit mendor, tek i cili tha se ndërlidhet gjyqësia, mirëqenia sociale, psikologët dhe në fund mjekët.

Ai tha se me ushtrinë e psikologëve që ka Kosova dhe Shqipëria, me vullnet dhe entuziazëm, mund të bëhet shumë më shumë nëse do të ketë një institucionalizim të shëndetit mendor.

“Nuk kemi askënd të politikës, por është koha e fundit që politikbërësit të ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor. Pa një baraspeshë të shëndetit mendor dhe fizik nuk do të kemi individë që do të jenë funksionalë për këtë shoqëri, ashtu që është shumë i rëndësishëm një kujdes për shëndetin mendor”, deklaroi ai për KP.

Për fund ai tha se “Po ju ftoj që 364 ditë të jenë ditë kujdesi për shëndetin mendor, e kjo ditë të jetë një festë në të cilën do të bëjmë përmbledhjen e rezultateve të punës tonë”, tha ai./GazetaSinjali/