image Kërkohet dorëheqja e kryetares së Gjykatës Kushtetuese

Kosovë

Deklaratë/ Kërkohet dorëheqja e kryetares së Gjykatës Kushtetuese

news image

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, nëpërmjet një deklarate për media, përsëritë kërkesën e saj drejtuar Arta Rama-Hajrizi, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, për dorëheqjen e saj nga kjo detyrë.

Sipas Lidhjës së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 21 maj 2016, duke nënshkruar vendimin që i legalizohen dhe njihen vendimet e kohës së masave të dhunshme – të kohës së Slobodan Millosheviqit, që pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” t’i kalojnë në pronësi Manastirit të Deçanit, ka shkelur rëndë mbi kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, konsideron se dorëheqja e saj, është akt moral, i pranimit të fajit profesional, ngase ajo me nënshkrimin e Akt Gjykimit Nr. ref. AGJ 943/16, të datës 21 maj 2016, ka legalizuar ligjet dhe aktet nënligjore të kohës së masave të dhunshme – të kohës së Millosheviqit.

“Ne, nuk do të pushojmë për të përdorur çdo presion deri në dorëheqjen e Arta Rama-Hajrizi nga detyra e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, është shprehur e shqetësuar edhe më herët rreth presionit ndërkombëtar që Komuna e Deçanit të bartë në pronësi të Manastirit të Deçanit, 24 hektarë tokë të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”. /Gazeta Sinjali/