Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon fuqishëm kërcënimin ndaj Prokurorit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sulejmani.
Në komunikatën për media, KPK thotë se këto kërcënime serioze ndaj Prokurorit Sulejmani, janë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-prokurorit special, Ali Rexha.
“Këshilli Prokurorial qëndron fuqishëm në përkrahje të prokurorit Lulzim Sulejmani dhe ofron mbështetje të plotë në punën e tij gjatë ushtrimit të funksionit si Prokuror i Shtetit”, thuhet në komunikatë.
KPK-ja siguron opinionin publik, se kërcënimet ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor dhe kërkon nga organet kompetente që këtë rast ta trajtojnë me seriozitetin dhe urgjencën e duhur.