image Kërcënohet deputetja Ganimete Musliu, kërkon ndihmën e Policisë

Siguri

Kërcënohet deputetja Ganimete Musliu, kërkon ndihmën e Policisë

news image

Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta të shtetit shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe si rrjedhojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Për një rast të tillë tashmë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një rasti ku viktimë është një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për deputeten e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila dyshohet se është kërcënuar nga një qytetar në rrjete sociale.

Sinjali mëson se sipas informacioneve të para, i dyshuari ka kanosur Musliun pas një shkrimi që kjo e fundit ka publikuar në faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook.

Kjo bëri që deputetja e PDK-së t’ia mësyjë Policisë për ta raportuar rastin, ku edhe ka dhënë deklaratën e saj para hetuesve policorë.

Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit për intervistim.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe deputeten Musliu për të marrë një prononcim lidhur me rastin, mirëpo ajo nuk ka pranuar që të deklarohet.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/