Një grua 89 vjeçe që i kishte mbijetuar Holokaustit është vënë nën mbrojtjen e policisë pasi mori shumë kërcënime anti-semitike në Itali, raportojnë mediet lokale.
Liliana Segre, e cila i kishte vetëm 13 vjet kur ishte deportuar në kampin e Auschwitz-it, ka qenë nismëtare e krijimit të një komisioni parlamentar kundër urrejtjes, racizmit dhe anti-semitizmit.
Fondacioni Çifut për Dokumentim Bashkëkohor me bazë në Milano të Italisë i tha televizionit CNN se kjo grua është bërë cak i rreth 200 sulmeve në ditë më rrjetet sociale.
“Sa herë që çifutë të njohur vendosen në qendër të vëmendjes së medieve në Itali, ata bëhen objekte të abuzimeve anti-semitike në internet”, tha Stefano Gatti nga ky fondacion.
“Fyerjet anti-semitike vijnë nga qarqet djathtiste, të cilat e kanë një të kaluar dhe nganjëherë edhe një të tashme të dhunshme. Ato janë pjesë e kodit të tyre radikal djathtist”, shtoi ai.
Për shkak të numrit të madh të kërcënimeve që kjo grua ka marrë në internet dhe në mënyra të tjera, autoritetet italiane morën vendim që për sigurinë e saj të kujdesen për së afërmi dy pjesëtarë të karabinierëve.
Fondacioni që merret me mbrojtjen e çifutëve në Itali tha se në këtë vend vërehet rritje e theksuar e sulmeve kundër këtij komuniteti. Vetëm në nëntë muajt e parë të këtj viti janë shënuar 190 sulme të tilla, shkruan “CNN”.