Rusia ka refuzuar të marrë fajin për kërcënimet serioze të sigurisë ushqimore globale, duke hedhur poshtë akuzat se pushtimi i saj në Ukrainë ka shkaktuar këtë.
Perëndimi ka akuzuar ushtrinë ruse se mbanë peng furnizime ushqimore, për miliona njerëz në mbarë botën.
Lufta në Ukrainë ka bllokuar portet kryesore të vendit në Detin e Zi, duke ndikuar rëndë zinxhirët e furnizimit me ushqim në gjithë botën. Ukraina është eksportues i madh i grurit, por tani miliona tonë drithë kanë ngecur – duke ndikuar te ato vende mund ta përballojnë më pak.
“Përpjekjet e Perëndimit për t’ia atribuar të gjitha problemet operacionit ushtarak special dhe për të akuzuar Rusinë për bllokimin e anijeve të huaja në portet e Detit të Zi dhe Detit Azov janë absolutisht të pabaza”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“Katalizatori kryesor për tendencat negative ekzistuese ishin sanksionet anti-ruse të Perëndimit, të cilat çuan në një këputje të lidhjeve në fushën e logjistikës globale dhe infrastrukturës së transportit”, tha ajo, shkruan CNN.
Rritja e çmimeve për produktet bujqësore filloi në vitin 2020 “dhe nuk është aspak rezultat i operacionit special ushtarak” në Ukrainë, pretendoi ajo, përpara se të fajësonte edhe COVID-in.
“Pandemia ka ndërprerë rëndë zinxhirët e ushqimit dhe ka rritur ndjeshëm koston e shërbimeve të transportit të ushqimit”, shtoi ajo.