COVID-19

Të infektuar

94

Të sheruar

2

Të vdekur

1

Kërcënime dhe sharje nga familjaret e personit që po kërkohet nga Policia: Vëllau jonë lëvizë lirshëm në Kosovë

news image

Gjatë ditës së sotme redaksia e Gazetës Sinjali ka pranuar një telefonatë kërcënuese nga dy gra, të cilat pretendojnë se janë familjare të personit që po kërkohet nga policia, Destan Qorri. Njëra nga gratë tha se Qorrin e ka axhë e tjera i është referuar si vëlla. Asnjëra nga to nuk është prezantuar me emër.

Sipas pretendimeve të tyre, Destan Qorri ndodhet në Kosovë dhe i njëjti nuk ka dhunuar asnjë vajzë. Ato e kanë quajtur të rrejshëm njoftimin e policisë për shpalljen në kërkim të Destan Qorrit -nën dyshimin për tri vepra penale, (Dhunim, Sulm seksual dhe Kanosje). Rastet dyshohet se kanë ndodhur në rajonin e Drenasit, e viktimat janë femra të mitura.

Gjatë bisedës, gratë insistonin të fshihet lajmi, me ç’rast kanë dhënë edhe deklarata kërcënuese në adresë të Gazetës Sinjali.

“Serbia më mirë është më jau…, sesa Kosova. Vesel Veselin nuk e kanë dënuar që e dhunoi çikën, pse s’jonë dalë ato tri femrat që i ka dhunu vllau jonë, ku janë femrat, veç rrena janë. Sa prostituta është dalë…Unë ku ta gjej emrin edhe familjen edhe kush je të faroj, se po bëni shpifje për familjen tonë…”, kërcënonte përmes telefonit gruaja që pretendon se është familjare e Destan Qorrit.

Gjatë bisedës ajo potencoi se Destan Qorri ndodhet në Kosovë dhe lëvizë lirshëm, më pas sfidonte edhe policinë duke thënë ‘pse s’po e kapin’.

“Krejt na njohin çfarë familje jena. Përderisa njeri s’ka dalë vetë dhe po enet i lirshëm pse spo e kapin, edhe pse ato tri femrat s’kanë dalë me folë qysh ka folë ajo për Vesel Veselin. S’është as si në foto, ka ndryshu plotësisht nuk e di ku e kanë marrë atë foto.Marre duhet me ju ardhë…”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Pas kësaj telefonate, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të mësuar nëse qëndrojnë pretendimet e tyre se ‘Destan Qorri lëvizë lirshëm’.

Flora Ahmeti, zëdhënëse në zyrën për informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë, tha se personi në fjalë vazhdon të kërkohet nga policia.

“Derisa ka një autorizim nga prokuroria për t’u shpallur në kërkim për ato vepra, është një bazë dyshimi që personi është i përfshirë në ato vepra”, tha Ahmeti për Gazetën Sinjali.

Ahmeti shtoi se ky person po vazhdon të kërkohet nga policia.

‘Dje është shpallë në kërkim’, përfundoi ajo.

Dje policia ka dërguar njoftimin për Destan Qorrin, aty thuhet se “të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e tij ta njoftojnë policinë në numrin 192”.

Ky është personi që është shpallur në kërkim nga policia.

Destan Qorri

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin