Pandemia u ka shkaktuar telashe në organizimin e koncerteve dhe dasmave, mirëpo artistët janë gati t’iu rikthehen mbrëmjeve muzikore.
Pasi që kemi hyrë në fazën e tretë dhe ka filluar lehtësimi i masave, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka përfshirë edhe organizimin e koncerteve dhe dasmave, transmeton Gazeta Sinjali.
Kjo ka ngjallur reagime të ndryshme nga këngëtarët, teksa këta të fundit shprehen të shqetësuar.
I gatshëm të rikthehet në skenë është Besart Halimi, i cili ka shprehur shqetësim duke thënë se shteti po iu bënë padrejtësi këngëtarëve, ngase burim i të ardhurave të tyre janë mbrëmjet muzikore.
“Përderisa kafiteritë janë të mbushur plot, pse të mos ketë edhe mbrëmje muzikore apo dasma”, është shprehur Halimi në emisionin “Reload”.
Ai paralajmëroi nisjen e mbrëmjeve muzikore duke thënë se ai do të fillojë të punojë por edhe nëse e arrestojnë nuk ka se çfarë të bëjë.
“Ne do të fillojmë të punojmë pasi gjithçka po mbahet, edhe nëse na arrestojnë s’kemi çfarë bëjmë, nuk kemi rrugë tjetër”, ka thënë këngëtari duke shtuar se performanca e tij e parë pas pandemisë do të jetë më 6 qershor.
Madje, këngëtari shtoi se brenda një jave do të mblidhen disa këngëtarë dhe do të takohen me zyrtarë të qeverisë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. /Gazeta Sinjali/.