KEDS ka dhuruar të enjten 50 kompjuterë për fëmijët e familjeve të SOS Fshatrave, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të KEDS-it, qëllimi i shpërndarjes së këtyre kompjuterëve ishte që fëmijëve t’u krijohet qasje më e lehtë me botën, sidomos në këtë kohë pandemie.
Albana Zogu-Morina nga SOS Fshatrat e Fëmijëve u shpreh se këta kompjuterë do të ndihmojnë fëmijët për të pasur qasje në mësimin online.
“Duke e pasur parasysh njëkohësisht nevojën për mësimin online dhe qasjen në teknologjinë informative dhe internet natyrisht që donacioni prej 50 kompjuterëve është jashtëzakonisht i mirëseardhur. Me këtë donacion do të përkrahen fëmijët të cilët janë pjesë e programit të fuqizimit të familjes të cilët nuk kanë qasje në pajisje teknologjike gjatë kësaj kohe pandemie ku shpesh herë ata duhet të vijojnë mësimin përmes formave online. Natyrisht do të plotësohen edhe nevojat e fëmijëve për të cilët ne përkujdesemi çdo ditë”, tha ajo.
Sipas KEDS, kjo nuk është hera e parë që ata kanë dhuruar pajisje për këtë institucion, pasiqë në dhjetor të vitit të kaluar kompania kishte pajisur fëmijët e SOS fshatrave me dhjetëra tabletë.
KEDS paralajmëron se do të ndërmarrë iniciativa të tilla edhe në të ardhmen me qëllim që fëmijëve t’u krijohen mundësitë që njohuritë teorike t’i gërshetojnë me ato praktike përmes kabineteve të teknologjisë informative të cilat do të krijohen aty ku është nevoja./Gazeta Sinjali/