Ekipi i femrave në ligën e parë në basketboll, KBF Peja 03 po synon që në sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e Superligës.
Nga një grup i jashtëzakonshëm i vajzave të reja, kryesisht të përbërë nga moshat 16 deri 23 vjeç, KBF Peja po punon fuqishëm për të rritur ambiciet e klubit.
Vashat pejane sezonin e kaluar kishin një edicion të jashtëzakonshëm duke arritur në dy finale, atë të Kupës së Kosovës dhe të Ligës së Parë të Femrave.
Humbja në dy finalet edicionin e kaluar nuk ka zhgënjyer dhe demotivuar aspak vashat pejane, përkundrazi ato janë më të motivuara se kurrë për të përfunduar punën që nuk u finalizua edicionin e kaluar.
Nën drejtimin e trajnerit, Dion Basha, i cili dikur kishte qenë edhe vetë lojtar i Superligës në konkurrencën e meshkujve, madje duke depërtuar për një periudhë edhe në Kroaci, klubi pejan po përgatitet për një sezon premtues.
Përpos stërvitjeve intensive që kanë zhvilluar përgjatë kësaj vere, klubi pejan nuk ka qëndruar duarbosh as në transferime, ku ka sjellur disa emra të njohur që edicionin e kaluar kishin luajtur në Superligën e Kosovës.