Një burrë vdiq nga helmimi me tym pas zjarrvënies së një supermarketi dje në kryeqytetin e Kilit dhe një tjetër vdiq nga plagët e marra gjatë përleshjeve me policinë, duke e çuar në katër numrin e viktimave të trazirave gjatë një jave.
Protestat e nisura që në tetor prej ngritjes së çmimit të biletave të metrosë dukej se ishin qetësuar gjatë pushimeve të verës dhe fundvitit, por një valë e re është ka nisur kësaj jave.
Një grup demonstruesish vodhën e më pas i vunë zjarrin një supermarketi në jug të Santiagos mëngjesin e të premtes dhe kur erdhën zjarrfikësit gjetën një njeri të vdekur dhe dy të tjerë që vuanin nga asfiksia.
Ndërsa viktima e dytë ishte qëlluar në kokë gjatë protestës pranë një stacioni policie në Santiago.
Të mërkurën një i ri vdiq pasi u godit nga një autobus i marrë peng ndërsa të martën një tifoz futbolli u vra pas goditjes nga furgoni i policisë.
Të paktën 27 njerëz janë vrarë që prej nisjes së protestave që tashmë janë kthyer në një shfaqje të gjerë pakënaqësie ndaj presidentit miliarder Sebastian Pinera dhe qeverisë së tij. /Gazeta Sinjali/