Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka reaguar ashpër pas publikimit të listës me deputetët që kanë shpenzuar më së shumti për karburante në muaj nëntor-dhjetor 2021. Në një postim në Facebok, ai ka përmendur deputeten e LVV-së Yllza Hotin, e cila ka marrë 810 euro nga shteti për derivate, duke pyetur “Kush është hajni ktu?”
Sipas Kastratit, kjo për VV-në nuk është hajni, sepse Hoti i takon partisë Vetëvendosje. “Për me qenë hajn (sipas helmimit të Albinit ) duhet t’i takosh një partie tjetër.”
Kastrati ka shtuar se nëse kjo do të ndodhte në të kaluarën, Kurti do thoshte se me 810 euro do të ndihmoheshin pensionistët.
“Marre. Deputetja e VV-së me naftë paska bërë gjakderdhje financiare me paret e taksapaguesëve të këtij shteti. Siç do të thoshte Kurti në të kaluarën me këto 810 euro kanë mund me u ndihmu disa pensioner, kanë mund me u ushqy disa fëmijë të invalidëve të luftës, disa raste sociale, disa fëmije të policëve, arsimtarëve e plot kategorive tjera.”
Ai po ashtu ka ironizuar duke thënë se çfarë rruge ka shfrytëzuar deputetja e LVV-së për të shkuar në Kuvend, “kah Tirana a kah Shkupi?”.
“Kolegëve deputetë që jetojnë jashtë Prishtinës ju lejon legjislacioni karburantin, mirëpo kësaj koleges nga VV (që siç raportuan mediat po jetojka në Prishtinë) ju paskan desht me i shpenzu 810 euro karburante prej Prishtinës në Prishtinë….se kuvendi është në Prishtinë. Nuk e di kah i ka ra kjo kah Tirana a kah Shkupi për me ardhë në Kuvend……plus nuk paska veturë. Ndoshta ka trotinet me naftë. “