Kur forcat spanjolle, në bashkëpunim me shërbimet sekrete britanike, arrestuan pardje tre persona të dyshuar për aktivitete terroriste, nuk imagjinonin se do të kapnin në “rrjetën” e tyre një emër shumë të njohur të terrorizmit ndërkombëtar.
Madje një nga figurat më të njohura të ISIS, disa vite më parë. Një nga të arrestuarit u identifikua si Abdel-Majed Abdel-Bary, 28-vjeçari anglez me origjinë egjiptiane që për disa vite luftoi në Siri, dhe ishte pjesë e grupit famëkeq të quajtur “Beatles” të ISIS, sepse të gjithë kishin lindur ose rritur në Britani.
Si “Jihadi John”, figura e zezë që në videot makabër të ISIS ekzekutonte duke prerë kokën e disa të huajve. Për disa kohë dyshimet mbi identitetin e Jihadi John u rrotulluan pikërisht tek Bary, po në fakt ai ishte pjesëtari tjetër, me nofkën “George”.
Në rininë e tij, Bary kishte tentuar edhe karrierën e reperit, duke regjistruar disa këngë dhe bashkëpunime në skenën e muzikës londineze, por pa shumë sukses.
I biri i një personi të njohur në Kairo për lidhjet me Al -Kaedën, Bary mendohej se kishte vdekur në një nga sulmet ajrore amerikane në Rakka të Sirisë.
Por ai ndodhej në qytetin bregdetar të Almeriës, ku kishte mbërritur duke kaluar i pa shqetësuar me dhjetëra kufij shtetërorë.
Një zbulim ky, që përtej kënaqësisë për kapjen e një elementi tejet të rrezikshëm, përcjell dyshime të mëdha mbi sigurinë e kufijve në Europë, duke menduar se Bary ishte një element shumë i njohur nga forcat e rendit dhe nga shërbimet sekrete. /Gazeta Sinjali/