Policia e Kosovës ka arrestuar një polic dhe një person tjetër që dyshohen se ka qenë të përfshirë në kontrabandë me mallra.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë arrestuar dje në fshatin Novosellë të Kamenicës.
Sipas njoftimit, makina e policit është përdorur për kontrabandim të mallrave nga shteti serb drejt Kosovës
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K-Serbë (njëri zyrtar policor), pasi që të njëjtit me furgon përmes rrugëve ilegale nga Serbia për në R. Kosovës ishin duke kontrabanduar mallra”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Sipas policisë në mesin e mallrave të tjera janë gjetur edhe paketime të barnave.
“Në furgon kishte një kazan për zierjen e rakisë, dy thasë koncentrat për kafshë dhe tetë paketime të vogla të barnave, për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumentacion përkatës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa furgoni me mallra është sekuestruar./Gazeta Sinjali/