Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme një person me iniciale L.H., nën dyshimin për veprën penale “Fajde”.
Policia e Kosovës përmes veprimeve të fshehta ka arritur që ta kap personin në fjalë në flagrancë duke pranuar 460 euro si fajde.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Gjakovë, me datë 19 dhjetor 2019 ka bërë arrestimin e personit të dyshuar L.H viti i lindjes 1989 për veprën penale “Fajde”.
Pas pranimit të informacioneve për fajde, Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës Themelore – Gjakovë ka zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në mënyrë që të bëjë grumbullimin e provave materiale që argumentojnë veprën penale për të cilën dyshohej se e ka kryer personi i dyshuar.
Me urdhëresë të gjykatës, pas zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit fotografik ose me video, personi i dyshuar është zënë në flagrancë duke pranuar një shumë të parave prej 460 (katërqind e gjashtëdhjetë) euro të fajdes, nga viktima e rastit.
Pas këtij veprimi, i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës ku përveq arrestimit, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e të njëjtit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
Një llaptop
Një pasaportë
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori, ku me urdhër të tij, të dyshuarit të lartëcekur pas intervistimit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.