Qendër tregtare “Metropol” në qytetin e Lushnjës të Shqipërisë është përfshirë nga flakët rreth orës 14:40, të kësaj të hëne. Shërbimet e Komisariatit të Policisë në Lushnjë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar në vendngjarje ku dhe u bë evakuimin i qytetarëve dhe banorëve mbi qendrën tregtare.
Siç raportojnë mediat nga atje, kaosi po vazhdon ende, pasi i gjithë objekti është mbushur me tym duke depërtuar edhe në të gjithë ndërtesën ku gjendet kjo qendër tregtare.
Top Channel raporton se ekipet emergjente po përpiqen të nxjerrin njerëzit e bllokuar në qendrën tregtare por edhe në të gjithë goditën 12-katëshe, ku ka edhe apartamente.
Nuk ka shifra të sakta se sa persona ka brenda në godinë dhe se si është gjendja e tyre, por që sipas të njëjtit raportim gjendja është e rëndë ndërsa ka edhe familjarë që nuk përgjigjen në telefon.
Zjarrfikëset kanë ndërhyrë brenda godinës, ndërsa vihet re mungesa e pajisjeve kundër zjarrit.
Sipas informacioneve, godina fatkeqësisht nuk ka dalje emergjente ku si pasojë e kësaj mungese zjarrfikësit s’po arrijnë momentalisht katet e sipërme.
Ata që kanë dalë nga godina po transportohen në spitalin e Lushnjës.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 14:40, njoftohemi se në Qëndrën Tregëtare “Metropol” në qytetin e Lushnjës ka rënë zjarr.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar në vendngjarje dhe po marrin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare.
Janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbeshtetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.
Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.