Mediat po raportojnë se nga mesnata 5 pacientë të prekur me koronavirus kanë ndërruar jetë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka provuar të konfirmojë një gjë të tillë, por asnjë nga infektologët, madje as zëdhënësi i QKUK-së nuk ka qenë i qasshëm.
Ndërkohë, drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajvazaj, tha për Gazetën Sinjali se për këtë rast do të përgjigjet vetëm prokuroria dhe kjo është vendosur me urdhër të kësaj të fundit.
Por, për gjithë këtë situatë nuk është e njoftuar Ministria e Shëndetësisë. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti, tha për Gazetën Sinjali se nuk ka informacion lidhur me këto raste.
Sipas tij, nëse ka diçka të tillë do të bëhet publike pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Gazeta Sinjali raportoi në mëngjes se përreth klinikës ku po trajtohen të infektuarit me koronavirus është parë numër i shtuar i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës./Gazeta Sinjali/