image Kandidati i PDK-së për kryetar: Në Zubin Potok duhet të kthehet siguria, qytetarët duhet të jenë të lirë

Politikë

Kandidati i PDK-së për kryetar: Në Zubin Potok duhet të kthehet siguria, qytetarët duhet të jenë të lirë

news image

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në zgjedhjet e jashtëzakonshme që priten të mbahen më 18 dhjetor, do të përfaqësohet nga katër kandidatë për kryetar komunash në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, shkruan Gazeta Sinjali.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut kandidat për kryetar është Taulant Kelmendi, në atë të Leposaviqit Albulena Behluli-Hetemi në Zveçan Ilir Peci kurse në Zubin Potok është Izmir Zeqiri.

Zeqiri në një deklaratë për Gazetën Sinjali u shpreh se pret që në zgjedhjet e 18 dhjetorit të shpallet kryetar i Zubin Potokut.

Ndërsa shtoi se kanë nisur parapërgatitjet për fushatë.

Ne jemi akterë në politikë këtu dhe si subjekt jemi gjithmonë në gara në të gjitha zgjedhjet. Unë pres t’i marrë votat e mjaftueshme. Me kohën do të nisim përgatitjet për fushatë”, u shpreh ai.

I pyetur se cila është çështja më me rëndësi në Zubin Potok e cila kërkon reagim të menjëhershëm, Zeqiri u shpreh se në aspektin e sigurisë duhet të punohet më shumë.

Sipas tij, siguria në këtë komunë nuk është në nivelin e duhur.

Fillimisht këtu duhet të merremi me sigurinë në këtë komunë. Këtu duhet të kthehet siguria, duhet secili qytetar të jetë i lirë, duhet të ketë paqe. Kjo është tema numër një, pra që duhet të kthehet rendi dhe ligji në këtë komunë. Siguria nuk është në nivelin e duhur është kryesisht e koncentruar në kufi”, u shpreh ai.

Ndërsa shton se situate aktuale në këtë komunë është sfiduese, andaj thotë se është i “sigurt që qytetarët e dinë se anën e kujt duhet ta mbajnë”, tha Zeqiri për Sinjalin.

Ndryshe, të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22.242 persona, në Leposaviq 18.390, në Zveçan 9.276 dhe në Zubin Potok 8.612 persona kanë të drejtë vote.

/GazetaSinjali/