image Kandidati i Nismës për deputet i dënuar me burgim me kusht: Do ta respektoj çdo vendim të KQZ-së

Politikë

Kandidati i Nismës për deputet i dënuar me burgim me kusht: Do ta respektoj çdo vendim të KQZ-së

news image

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se në listën zgjedhore të Nismës Socialdemokrate, e cila është dorëzuar dje për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është edhe një kandidat i dënuar me burgim me kusht.

Besnik Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në mars të 2018-s.

Ai për Gazetën Sinjali tha se nuk është duke e shpërfillur aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese – i cili ia ndalon të kandidojë për deputet çdo personi që është dënuar me një vendim të formës së prerë gjatë tri viteve të fundit – dhe se do e respektojë çdo vendim të KQZ-së për certifikim.

“Në 2018 për zbulim të fshehtësisë zyrtare jam dënuar me 6 muaj me kusht. Nuk jam duke e shpërfill vendimin e kushtetueses! Respektoj çdo vendim të KQZ-së për certifikim”, tha Berisha për Gazetën Sinjali.

Nga nesër deri më 20 janar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do t’i verifikojë listat e të gjitha partive politike që kanë aplikuar për certifikim në KQZ për kandidim në zgjedhjet e 14 shkurtit./Gazeta Sinjali/