image Kandidatët për deputetë nën verifikim, nesër vendoset a mund t'i hyjnë garës zgjedhore

Politikë

Kandidatët për deputetë nën verifikim, nesër vendoset a mund t’i hyjnë garës zgjedhore

news image

Komisioni Qendror Zgjedhor, që të hënën iu drejtua gjashtë institucioneve lidhur me verifikimin e kandidatëve për deputetë, ka njoftuar se i gjithë procesi përfundon të mërkurën, më 20 janar, shkruan Gazeta Sinjali.

Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, tha për Gazetën Sinjali se listat e të gjitha partive veçse i janë nënshtruar verifikimit.

“Janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave, i janë bashkangjitur edhe lista e kandidatëve për deputetë që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29, që flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit, tregon se kush nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet”, tha Elezi.

Nëse Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjen se ka kandidatë për deputetë që kanë dënime të plotfuqishme, Komisioni Qendror Zgjedhor do t’ua refuzojë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Janë të shumtë kandidatët që po garojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit, e që kanë dënime të plotfuqishme ose që po presin aktgjykimet finale.

Nga Lëvizja Vetëvendosje janë 10 kandidatë për deputetë me aktakuza aktive, ndërsa 2 janë të dënuar në 3 vjetët e fundit.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës janë 8 kandidatë me aktakuza aktive. Në Partinë Demokratike janë 4, e një është i dënuar në 3 vjetët e fundit. Në Nismën Socialdemokrate është 1 kandidat me aktakuzë aktive e 2 të dënuar në 3 vjetët e fundit.

Nga Lista Serbe garon 1 kandidat për deputet që ka aktakuzë aktive e 1 në 3 vjetët e fundit.

Dhe në fund, Lidhja Demokratike ka 1 kandidat me aktakuzë aktive.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor 2020 vendosi për ligjshmërinë e Qeverisë Hoti, e cila çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në aktgjykimin e Kushtetueses, thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Elezi, në një përgjigje për Gazetën Sinjali, tha se në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ-ja i është drejtuar  Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes për të bërë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

/Gazeta Sinjali/