Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se forcat ruse po dështojnë të përparojnë në Ukrainë, pavarësisht bombardimeve të rënda të qyteteve dhe qytezave.
Scholz tha se ofenziva e Putinit ka ngecur, pavarësisht gjithë shkatërrimit që po sjell ditë pas dite, raporton BBC – transmeton Gazeta Sinjali.
Ai para politikanëve në Gjermani, ka thënë se presidenti rus duhet të dëgjojë të vërtetën, të ndalojë luftimet dhe të përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike.
Sipas Scholz, lufta nuk po e shkatërron vetëm Ukrainën, por edhe të ardhmen e Rusisë.
Duke paralajmëruar Moskën për dënime të mëtejshme, ai thotë: “Ne po forcojmë vazhdimisht sanksionet, por [masat] nuk duhet t’i dëmtojnë shtetet evropiane më shumë se udhëheqja ruse.”
Scholz ka thënë se ukrainasit mund të mbështeten në Gjermani dhe se refugjatët janë të mirëpritur në vendin e tij.