Dhjetëra kadetë dhe të rinj në ushtrinë ruse, janë afeksionuar jo pak me atë që ndoshta është arma e zjarrit më e famshme në botë ndërkohë që vendi i tyre përgatitet të shënojë 100 vjetorin e lindjes së Mikhail Kallashnikovit, prodhuesit të armës legjendare.
Në një muze të Moskës, vizitorët mund të shohin nga afër kallashnikovët dhe të pozojnë për selfie në ekspozitën që i dedikohet armës së famshme automatike. Këtë muaj, Rusia do të nderojë krijuesin e AK-47 me një numër eventesh, mes të cilave ekspozita në muze dhe një film biografik.
Kallashnikovi, që u nda nga jeta në 2013 në moshën 94 vjeç, konsiderohet në Rusi si një hero kombëtar dhe simbol i të shkuarës krenare të vendit. AK-47 e tij, u bë armë e zgjedhur si nga guerrilasit ashtu edhe nga qeveritë në mbarë botën.
Kallashnikovi është nderuar me çdo çmim të mundshëm në Bashkimin Sovjetik dhe Kremlini në 2009 i dha atij edhe nderimin më të lartë, Hero i Rusisë.
I lindur në një fshat siberian më 10 nëntor 1919, Kallashnikovi kishte një fëmijëri tragjike, me të atin që u shpall kulak në 1930.
I plagosur në një betejë me nazistët, në 1941, kallashnikovi mori leje dhe në këtë kohë ai ideoi një nga versionet e para të pushkës së tij. Në 1945 një prototip hyri në një garë dhe projekti u rekomandua të përdorej në ushtrinë sovjetike.
Menjëherë arma u bë e vlerësuar për thjeshtësinë dhe besueshmërinë e saj. AK 47 do të thotë Automatiku i Kallashnikovit dhe viti i versionit final, 1947. Më shumë se 100 milionë kallashnikovë janë shitur në të gjithë botën dhe rreth 50 ushtri përdorin AK 47, përfshirë atë në Irak dhe Somali.