image Kadrijaj: Mirë që Kurti reflektoi, por në sytë e ndërkombëtarëve fajtore doli Kosova e jo Serbia

Politikë

Kadrijaj: Mirë që Kurti reflektoi, por në sytë e ndërkombëtarëve fajtore doli Kosova e jo Serbia

news image

“Mirë që zotëri Kurti ka reflektuar mbrëmë në orët e vona dhe e ka shtyrë afatin për fillimin e gjobitjes për targat. Mendoj se Kurti në çdo hap duhet të konsultohet me SHBA-të”. Kështu tha deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj në një deklaratë për Gazetën Sinjali.

Mbrëmë pasmesnate, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar kërkesën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, për ta shtyrë zbatimin e vendimit për gjobitjen e qytetarëve me targa ilegale.

Ambasada amerikane në Prishtinë kërkoi nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë dhënien e gjobave për qytetarët që vozisin automjetet me targat që Serbia ilegalisht i lëshon për rajone të Kosovës.

Megjithatë, për këtë çështje, sipas deputetes Kadrijaj, kryeministri i vendit nuk do të duhej të bisedonte në Bruksel.

Kadrijaj thotë se kërkesa e parë e SHBA-së për shtyrje të vendimit për 10 muaj është dashtë të merrej parasysh me kohë nga Kurti.

“Kjo nuk është dashtë të ndodh fare që zotëri Kurti të shkojë në Bruksel të flasë për çështjen e targave meqenëse ka qenë kërkesë e SHBA-së që ajo të shtyhet.

Ne kemi thënë që ka qenë kërkesë, është dashtë të përkrahet ka qenë kërkesa e SHBA-së dhe tash unë e përshëndes që më në fund pas një xhiro pas shëtitjeve që i bënë zotëri Kurti dhe Bislimi në Bruksel, morën vendim që ta shtyejnë këtë vendim”, tha ajo.

E sa i përket, mos marrjes parasysh të kerkesës së parë të SHBA-së, Kadrijaj thotë se ka ndikuar që në sytë e ndërkombëtarëve, Kosova të dalë në pozitë jo të favorshme.

“Mos dakordanca me SHBA dhe zhvillimet që ndodhën pas veprimit në krye të vetën të Kurtit që dha pasoja, në këtë rast ka arrit që në sytë e ndërkombëtarëve Kosova të jetë fajtore, gjë që herët e kaluara nuk ka ndodh. Deklarata e zyrtarëve të Brukselit treguan fajtore për të gjitha zhvillimet, fajin e kanë adresuar te Kosova dhe jo te Serbia”, u shpreh ajo.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimeve që ka zhvilluar me Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel, u shpreh i ashpër me ndaj palës kosovare.

Borrell ka thënë se do t’i njoftojë të gjitha shtetet anëtare për sjelljen e dy palëve, por me theks përmendi Kosovën.

Sipas anëtares së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ky është një reagim i pakuptimtë.

“Në fakt ndonjëherë as vet nuk i kuptoj politikat e Brukselit. Borrell vërtetë ishte i  ashpër”, u shpreh Kadrijaj për Sinjalin.

Ndërsa, ajo drejtoi kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për të cilën thotë se nuk është transparente sa i përket temave që do të diskutohen në Bruksel.

“Ne nuk kemi pas ndonjë informacion sepse Qeveria jonë është jotransparente dhe nuk kemi pas ndonjë informacion që është takuar ndonjë datë që do të diskutohet për marrëveshjen finale që gjë  u shpreh nga Kurti dhe ne ishim të befasuar sepse nuk kishim informacion që u hiq plani franko-gjerman dhe u diskutua eksplicit për targat”, përfundon deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Faza e gjobitjes në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës ishte paraparë të nis nga 21 nëntori, po që ishte shtyrë për një ditë më vonë, për shkak të vizitës së Kurtit të dielën në Bruksel, për një “takim urgjent” që kishte ftuar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas këtij vendimi, nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit, nga 21 nëntori për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pas nga 21 janari do të kemi targa provuese për tre muaj të tjerë deri më 21 prill.

Nga 21 prilli nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës.

/GazetaSinjali/