Gjykata Themelore në Gjilan sot e ka shpallur fajtor menaxherin e reperes Tayna, Rinor Hykollin, duke i shqiptuar 1 vit burgim efektiv, pasi i njëjti dyshohet se më 22 korrik në një diskotekë në Gjilan, ia kishte thyer hundën një personi, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme. Bashkë me Hykollin, për veprën penale ‘’Lëndimi i rëndë trupor’’ akuzohet edhe Shpresim Xheladini. Hykolli fillimisht për këtë rast ka dhënë deklarata të ndryshme, por që në seancën e shpalljes së aktgjykimit, që u mbajt sot, i njëjti e ka pranuar fajësinë. Kurse Shpresim Xheladini është deklaruar i pafajshëm dhe ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e shqyrtimit gjyqësor.
Sinjali ka siguruar deklaratat që i kanë dhënë në Prokurori dy të akuzuarit dhe viktima e këtij rasti.
Si ndodhi ngjarja sipas Rinor Hykollit?
Menaxheri i Taynës, Rinor Hykolli në Prokurorinë Themelore të Gjilanit ka deklaruar se si ka ndodhur ngjarja sipas tij, në zhveshtoren ku ia theu hundën viktimës L.B. Hykolli ka thënë se fillimisht viktima i kishte spërkatur me një sprej, ndërsa ai më pas e ka goditur dhe viktima është rrëzuar.
“Kam qenë në diskotekën Stop, pasi unë jam menaxher i Taynës dhe ajo ka pasur koncert. Derisa është zhvilluar koncerti, kam qenë duke dalë nga zhveshtorja e këngëtarëve dhe në momentin që e kam hapur derën, një person më ka çitë sprej fytyrës dhe në afekt e kam shtyrë shkallëve teposhtë, i cili është rrëzuar në tokë dhe unë kam zbritur pas tij dhe jam kacafytur fizikisht dhe saktësisht nuk e di se me çka e kam goditur por më kujtohet që e kam pasur një gotë dhe që ka mundësi se e kam goditur me gotë dhe me ndonjë send që më është gjetur afër dhe pas disa minutave ka ndërhyrë sigurimit. Atë natë e kam pasur revolen me vete por nuk e kam goditur viktimën me revole në pjesën e kokës, por vetëm jemi rrahur me grushte dhe ka mundësi që e kam goditur në hundë. Viktima lëndimet ka mundur t’i pësojë edhe nga sigurimi, jo vetëm nga goditjet e mija. Është e vërtetë se ka pasur gjak në dhomë, nga rrahja jonë por gjithashtu dua të shtoj se nga kjo rrahje edhe unë kam pasur gjakderdhje nga hunda. Personin që e kam sulmuar nuk e kam njohur, por vetëm me nofkën e tij dhe këtë e kam kuptuar pasi ka ndodhur rasti. Nuk kemi pasur asnjëherë mosmarrëveshje”, ka deklaruar Hykolli.
Sa i përket faktit se në deklaratën e tij të dhënë para zyrtarëve policorë ka thënë se personi i cili ka pasur konflikt me Liridonin, ka qenë me mjekër e që përputhet me fizikun e Shpresimit, duke tentuar kështu për t’i ikur përgjegjësisë, ai ka deklaruar se: “Unë jam frikësuar që do të hyjë në burg dhe kam deklaruar ashtu pasi që të gjithë aty, punëtorët e sigurimit të diskotekës janë të zhvilluar fizikisht dhe janë me mjekër. Por që nuk është e vërtetë që e kam dërguar Shpresimin që ta thërras viktimën në zhveshtore.”
Hykolli në Prokurori ka deklaruar edhe për shoqërinë tij me dy zyrtarë policorë, të cilët atë natë ishin në diskotekën ku ndodhi ngjarja, shkruan Gazeta Sinjali.
“Zyrtarin policor Besnik Morinën dhe Kristë Jetishin, hetues i Krimeve të Rënda i njoh dhe kam mbi 20 vite shoqëri me ta, por të njëjtit ka raste që janë mysafirë nëpër koncerte, por nuk më shoqërojnë”, ka shtuar ai.
Çka kishte deklaruar i akuzuari i dytë, Shpresim Xheladini?
Shpresim Xheladini, i akuzuari i dytë për këtë rast ka deklaruar se derisa kanë qenë në diskotekë, në prapaskenë ka qenë Rinor Hykolli dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i ka njohur, kur në ato momente “ka hyrë Liridoni dhe pasi i ka ndërruar disa fjalë me Rinorin, nga xhepi ka nxjerrë një sprej, të cilin e ka lëshuar në drejtim të Rinorit dhe më pas kam dalë jashtë. Nuk e di nëse L.B., dhe Rinori janë njohur më parë dhe se nuk është e vërtetë, se e kam ftuar L.B., në zhveshtore. Nuk kam armë dhe nuk e kam goditur atë natë viktimën.”
Lidhur me këtë ngjarje, viktima e këtij rasti L.B., është dëgjuar në cilësi të dëshimtarit, i cili ka deklaruar në detaje se si ka ndodhur sulmi sipas tij.
“Unë kam qenë në diskotekën Stop, me disa shokë të mi, në pjesën e VIP-ave, dhe rreth orës 00:20 ka ardhë dikush dhe i ka thënë se “ej po të thirr Shpresimi. Ai ka deklaruar se e ka parë Shpresimin, të cilin e njeh si figurë, i cili ishte brenda në binë dhe atë natë ka punuar si sigurim me Rinor Hykollin.
Shpresimi ma ka bë me dorë në drejtim të dhomës së këngëtarëve. Kam shkuar dhe jam takuar, por para se të hyjë në zhveshtore, aty ka hyrë edhe Rinor Hykolli, i cili më ka goditur me dorezën e revoles në kokë dhe unë jam rrëzuar përtokë. Në ato momente Rinorit i ka ra një sprej, të cilin e kam marrë dhe ua kam lëshuar Shpresimit dhe Rinorit dhe menjëherë e kam lajmëruar Policinë. Rinori më ka goditur me grusht në hundë dhe ma ka thyer hundën dhe jam rrëzuar. Ai më ka goditur po ashtu edhe me shqelma në pjesë të ndryshme të tupit, kurse Shpresimi më ka goditur një herë me shkelm në trup. Kurse derisa kam qenë i gjakosur kanë hyrë në zhveshtore pronarët e diskotekës. Me Shpresimin dhe Rinorin jemi njohur më herët dhe me këtë të fundit kam pasur një mosmarrëveshje në gusht të vitit 2020”, ka deklaruar ai.
Aktakuza ndaj Hykollit dhe Xheladinit është ngritur më 1 nëntor nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Ndërsa pas vendimit të gjykatës që shpalli fajtor Hykollin, koha e qëndrimit në paraburgim do të llogaritet në dënimin e shqiptuar si dhe ndërpritet paraburgimi ndaj tij.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.