Më 24 qershor, në një kafene të Gjilanit, Bardhyl Zeqiri akuzohet se e theri për vdekje Ismajl Canin, pas një mosmarrëveshje verbale që kishte pasur me të. Ndaj Zeqirit, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë, si i dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”. E gjithë kjo ngjarje tragjike që tronditi vendin atë ditë, dyshohet se ndodhi për shkak të lidhjes intime që i dyshuari Zeqiri kishte pasur me gruan e tani të ndjerit Ismajl Canit. Gazeta Sinjali ka mësuar se çfarë deklaroi i dyshuari Zeqiri për ditën kritike dhe ju sjellë detaje si ndodhi rasti.
Deklarata e të dyshuarit Bardhyl Zeqiri
Bardhyl Zeqiri ka deklaruar në Polici se para se të ndodhte ngjarja tragjike, rreth orës 11:30, e kishte telefonuar viktima Ismajl Cani, i cili, sipas tij, i kishte kërkuar të takoheshin dhe të flisnin për marrëdhënien që Bardhyli kishte pasur me gruan e tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Në deklaratën e Zeqirit thuhet se kur ai ka shkuar në kafene, aty e kishte gjetur Ismajlin duke pirë birrë, i cili më pas, sipas tij, i ka thënë se “ty nuk të bëj gjë, mirëpo do t’i vras ata që do të djegin më së shumti. Po shkoj po ta përdhunoj gruan në shpi, kam me ta vra djalin dhe pasi ta q** gruan, edhe grujen ka me vra, edhe ti nashta pshton”.
Pas këtyre fjalëve, Bardhyli ka deklaruar se ia ka kthyer Ismajlit, duke i thënë “pushka top tu boft Ismajl”. Në ato momente sipas Bardhylit, Ismajli e ka kapur për veshi atë dhe i ka thënë se “tash e marr alltinë dhe të vras”, duke e goditur, sipas tij, me shishen e birrës të cilën Ismajli e kishte në dorë. Bardhyli tutje ka thënë se fytyra i ishte mbuluar me gjak nga goditjet dhe ishte larguar nga tavolina ku ishte.
Situata në atë moment kishte eskaluar, kur Bardhyli kishte marrë briskun dhe i ishte drejtuar Ismajlit me fjalët: “Qekjo është besa jote a, une erdha me fol si njeri me ty”. Ndërsa Ismajli, sipas Bardhylit, ia ka kthyer duke i thënë se “tash po i thirri vëllezërit, e me shku me ta vra djalin”. Pas këtyre fjalëve, ndodhi edhe tragjedia. Bardhyli dyshohet se e theri për vdekje Ismajlin, në qaf e gjoks.
Bardhyli e Ismajli ishin takuar një ditë para se të ndodhte ngjarja tragjike
Njëri nga dëshmitarët për këtë rast ka deklaruar se Ismajli dhe Bardhyli dhe një person tjetër ishin takuar një ditë para kësaj ngjarje dhe kishin shkuar në banesën e viktimës, Ismajlit, ku ka deklaruar se kanë biseduar për lidhjen intime të Bardhylit me gruan e Ismajlit. Ky dëshmitar ka thënë se aty i dyshuari e kishte pranuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me gruan e Ismajlit.
Përveç këtij dëshmitari, edhe gruaja e të dyshuarit ka deklaruar se burri i saj kishte pasur lidhje me gruan e Ismajlit.
Raporti i Autopsisë
Sipas raportit të autopsisë, vdekja e Ismajl Canit ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e shokut hemorragjik, si pasojë e gjakderdhjes së jashtme. Në këtë raporti thuhet se Ismajli ka pasur 4 plagë prerëse dhe dy shpuese.
Bardhyl Zeqiri gjendet në paraburgim nga 24 qershori, ndërsa sot Prokuroria në Gjilan ka njoftuar se ndaj të njëjtit është ngritur aktakuza.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/