Juventusi ka nisur ‘bisedimet paraprake’ me Barcelonën për Memphis Depay, pretendon ESPN, pas sugjerimeve që lojtari i kishte ofruar vetes Bianconerëve.
Ndërsa ‘Zonja e Vjetër’ po kërkon përforcime në sulm dhe po përpiqet të arrijë një marrëveshje për rikthimin e Alvaro Moratas nga Atletico Madrid, Barça ka shpenzuar më shumë se kushdo këtë verë dhe duhet të heqë lojtarët e padëshiruar nga fatura e pagave.
Depay është njëri prej tyre dhe dje u raportua se holandezi i ishte ofruar Juventusit.
Tani ESPN sugjeron që negociatat kanë filluar seriozisht për të parë nëse të tre mund t’i zgjidhin problemet e tyre në të njëjtën kohë.
Sulmuesi i gjithanshëm 28-vjeçar mund të luajë ose në vend të Dusan Vlahovic ose në mbështetje të serbit, duke i dhënë Max Allegrit opsionet taktike që ai kërkon.
Depay iu bashkua Barcelonës vetëm verën e kaluar si agjent i lirë pasi u largua nga Olympique Lyonnais dhe kontrata e tij zgjat deri në qershor 2023.