image Joseph i rreptë me Kurtin: I pamatur në veri, sfidues ndaj ndërkombëtarëve - provokues ndaj bashkëqytetarëve serbë

Politikë

Joseph i rreptë me Kurtin: I pamatur në veri, sfidues ndaj ndërkombëtarëve – provokues ndaj bashkëqytetarëve serbë

news image

Është e qartë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i pamatur në veprimet operacionale të tij në veri të Kosovës”, ka thënë profesori i shquar amerikan në John Hopkins University, Edward Joseph, në një intervistë për qendrën kërkimore dhe mediale serbe “Demostat”, duke folur për ngjarjet e fundit në vend dhe Marrëveshjen Bazë të proklamuar edhe si historike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, jo vetëm “i pamatur”, thotë Joseph duke dhënë vlerësimet e tij për veprimet e Kurtit.

Ishte “sfidues” ndaj mbarë komunitetit ndërkombëtar dhe “provokues” ndaj bashkëqytetarëve serbë të Kosovës.

Joseph, madje thotë edhe se “jo vetëm për arrestimet, por duhet hetuar edhe trajtimin e serbëve të arrestuar”.

Tash veç le të imagjinojmë një lider më bashkëpunues në Prishtinë. Në fakt s’kemi pse ta imagjinojmë; ka pasur një lider më bashkëpunues. Emri i tij ishte Avdullah Hoti. Në shtator të 2020’ës, ai madje nënshkroi edhe Marrëveshjen e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë, bashkërisht me Aleksandar Vuçiqin. Në një pikë, ai madje edhe u pajtua për ta vendosur në agjendë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe,” ka thënë Joseph.

Joseph thotë se Kurti “në tri mënyra” ka pjesën e tij të fajit, dhe se madje “është interesante” se si edhe opozita, shoqëria civile dhe një pjesë e mediave “janë të tërbuar me të” në prishjen e “panevojshme” të marrëdhënieve me BE-në, ShBA-në, përçarjet e brendshme, por edhe me ashpërsinë e tij ndaj serbëve të Kosovës.

Në fjalë të tjera, politika në Kosovë nuk është një konkurrencë se kush do të jetë më i ashpri ndaj serbëve. Përkundrazi, opozita akuzon Kurtin që krejtësisht panevojshëm ka tjetërsuar ShBA-në dhe BE-në për shkak të veriut. Pas përleshjes së pafalshme javën e kaluar në parlament, shohim atë animozitet të ashpër që ekziston te opozita”, ka thënë Joseph.

Por, Joseph i rikthehet tezës së tij që ka shtjelluar kaherë se në fakt pengesa më e madhe ndaj Kosovës dhe avantazhi më i madh ndaj Serbisë janë pesëshja mosnjohëse e BE-së dhe katërshja e NATO-s. Kjo, tregon ai, i jep levën më të madhe Beogradit.

Le t’i kthehem pikës kryesore time – ka pengesë strukturale: pozicioni i katër shteteve të NATO-s. Ata i japin avantazh Serbisë mbi Kosovën. Duke bërë kështu, ata e bëjnë gjë skajshmërisht të vështirë që Kosova dhe Serbia në fakt të zbatojnë ‘propozimin frankogjerman’ ose të bëjnë atë çfarë është në të vërtetë e nevojshme për zgjidhjen përfundimtare”.

Këta shtete, thotë Joseph, në raport me Kosovën kanë “interpretim tejet të diskutueshëm” të së drejtës ndërkombëtare – duke iu referuar opinionit të GJND-së për legalitetin dhe legjitimitetin e pavrësisë së Kosovës.

Duke iu kthyer çështjes së Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Edward Joseph, tha se “Kurti e befasoi Vuçiqin kur në shkurt pranoi obligimin e Asociacionit” derisa për të shprehet edhe se “autonomia është çështja finale e statusit të Kosovës”.

E përsëris: autonomia është çështje e statusit përfundimtar (të Kosovës). Kjo është ajo çfarë minoriteti (serb i Kosovës) merr si këmbim për të hequr dorë nga separatizmi – dhe është në mënyrë tipike një lëshim që i bëhet një shteti fqinj irredentist, siç është Serbia, kur edhe ajo heq dorë nga pretendimi i saj për sovranitet”, ka shtuar Edward Joseph.

Çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Josepj e sheh si “të rëndësisë thelbësore” por kërkon që të ketë një “renditje të hekurt” për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Secila palë duhet të ketë garancione që pala tjetër do ta zbatojë marrëveshjen”, ka thënë Edward Joseph.

/GazetaSinjali/