image Joker po vjen, kritikët: Mund ta rrisë numrin e vrasjeve

Kulturë/ Joker po vjen, kritikët: Mund ta rrisë numrin e vrasjeve

news image

Joker-i del në kinematë amerikane këtë javë pavarësisht një vale kritikash se ai glorifikon një vrasës dhe mund të inkurajojë sulme të ngjashme kudo. Filmi, në të cilin luan Joaquin Phoenix, flet për një klloun të margjinalizuar që kryen një seri vrasjesh. Historia është treguar në mënyrë që të tërheqë simpati për të, thonë shumë kritikë.

Ngjarjet zhvillohen në 1981 dhe tregohet historia e Arthur Fleck, një komedian i dështuar që gjen shpëtim duke u shndërruar në vrasës në qytetin e Gothamit. Edhe para publikimit të tij, Warner Bros, është përballur me protesta të familjeve të viktimave që druanin se filmi mund të nxisë dhunë apo sulme të ngjashme.

Shqetësimet për premierën e filmit janë të mëdha, kjo edhe për shkak të vrasjes masive të 2012 në Aurora, të Kolorados, kur në natën e debutimit të The Dark Knight Rises, një tjetër film i Batmanit, u vranë në kinema 12 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.

Në një buletin të përbashkët, FBI dhe departamenti i sigurisë së brendshme, paralajmëruan agjencitë e ruajtjes së rendit që të mbajnë sytë hapur.
Si kundërpërgjigje, qytetet më të mëdha kanë shtuar masat e sigurisë, përfshirë këtu Los Angelosin.

“Joker” është një prodhim i Warner Bros që në një deklaratë për shtyp ka thënë më herët se filmi nuk synon që ta shndërrojë këtë karakter në një hero.