Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Kosovës, Valë Rudari, ka dhënë dorëheqje pas një fjalosje që kishte ndodhur para disa ditësh mes saj dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës, Floreta Zejnullahu.
Këtë e ka konfirmuar vetë Rudari përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se këtë vendim e mori për shkak të kërcënimeve e provokimeve profesionale dhe personale.
“Unë, Valë Rudari, anëtare e kryesisë së Degës në Podujevë, zëdhënse e partisë, jap dorëheqje nga të gjitha pozitat e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo dorëheqje nuk ka të bëjë me mungesë vetëbesimi apo dorëzimi nga situatat në të cilat kalova në kryesi, por kjo është shkak i kërcënimeve, mosmbështetjës, provokimeve profesionale e personale nganjëherë si nga ana e Degës së Podujevës dhe e Qendrës”, ka shkruar Rudari.
Tutje, Rudari ka hedhur akuza mbi disa prej pjesëtareve të PDK-së për kërcënimet që ia kanë bërë asaj dhe për sjelljet siç i ka quajtur ajo jo njerëzore.
“Akuzoj në mënyrë të drejtpërdrejt Betim Gjoshin me ekipin e tij në promovimin e kandidatit Naim Fetahu, me sjellje jo njerëzore ndaj meje. Deputeten Floreta Zejnullahu, me sjelljen me nivelin më të ulët që mund të ketë një deputete dhe me kërcënime serioze. Akuzoj Kryetarin e Shtabit të partisë Skender Murati, që nuk ofroi mbështetjen e duhur bashkë me shtab për një vajzë të re, të devotshme, punëtore dhe që mendon më zë, që partia të përmirësohet”, ka thënë mes tjerash Rudari.
Gazeta Sinjali kishte raportuar se situata kishte eskaluar deri te momenti kur sipas Rudarit, deputetja Zejnullahu e kërcënon me fjalët ‘të çmontoj, a e di me kënd ke punë?’.